Ashpërsohet retorika parazgjedhore, Jashari: Mungon respekti i ndërsjellë

08.09.2025 14:36

Duke pasur parasysh retorikën nacionaliste...

Duke pasur parasysh retorikën nacionaliste nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut, çdo periudhë parazgjedhore shënon një rritje të ndjeshme të gjuhës së urrejtjes, kryesisht me bazë etnike. Edhe këtë vit, kjo praktikë nuk ka ndryshuar, duke u intensifikuar sidomos në rrjetet sociale.

Rasti më i fundit i dhunës etnike në Tetovë nga anëtarë të tifo-grupit “Vojvoda” të klubit futbollistik Teteks, të cilët sulmuan fizikisht nxënësit shqiptarë, nxori në pah pasojat konkrete të retorikës nxitëse dhe tregon se gjuha e urrejtjes nuk mbetet thjesht në fjalë, por shpesh përkthehet në dhunë fizike dhe tensione sociale.

Sociologu Hasan Jashari vlerëson se nuk duhet të jemi gjakftohtë ndaj këtyre dukurive, pasi një praktikë e tillë shqetëson qytetarët dhe dobëson stabilitetin e shoqërisë.

“Kjo nuk duhet neve të na lë të qetë. Kjo që po ndodh është shqetësuese dhe si e tillë do të ketë një ndikim jashtëzakonisht të keq në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë, pastaj t’i rikthehemi gjuhës së urrejtjes në mediume dhe rrjetet sociale që bëhet në mënyrë individuale dhe që tregon se e gjithë ajo që është në shoqëri bartet në stadiume, bartet në rrugë. E gjithë ajo që është në institucione, në administratë, në vendet e punës e më gjerë reflektohet në rrugë e kudo.”, - deklaroi sociologu, prof. dr. Hasan Jashari.

Sipas Jasharit, këto probleme lindin për shkak të organizimit të shoqërisë dhe mungesës së respektit të ndërsjellë mes komuniteteve. Ai thekson se zgjidhja fillon nga sistemi arsimor dhe vijon përmes politikave gjithëpërfshirëse.

“Nxënësi maqedonas në Tetovë rritet me atë bindje se asnjëherë një shqiptari nuk duhet t’i thuhet mirëmëngjesi apo mirëdita, pra këtu menjëherë kemi atë ndjenjë të superioritetit se është mbi dhe se është dikush nën dhe vazhdimisht duhet t’i thotë në gjuhën e tij “Dobro utro”, “Dobar den” e kështu me radhë. Duhet seriozisht t’i kthehemi kësaj çështjeje edhe faktorëve politikë edhe të gjithëve se nuk ka bashkëjetesë pa një marrëdhënie të sinqertë reciproke, pa një respekt të ndërsjellë reciprok.”, - theksoi sociologu, prof. dr. Hasan Jashari.

Hasani shton se ngjarje si ajo e Tetovës theksojnë nevojën për masa parandaluese, edukim për tolerancën dhe promovimin e një diskursi më konstruktiv dhe përfshirës në periudhat parazgjedhore. (Armend Murseli, TVM2)