Maqedoni

Ahmeti: Interesi i shqiptarëve menaxhohet në institucione, zgjidhja e krizës përmes dialogut

20.05.2015 17:12

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka quajtur të dështuar përpjekjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për t’i bërë bashkë politikanët shqiptarë në Pogradec këtë fundjavë...

Në emisionin “Opinion” në TV Klan, Ahmeti pohon se nuk e ka ditur qëllimin e Ramës dhe është habitur kur ka parë edhe liderët e tjerë, por gjithsesi, sipas tij, çdo përpjekje për dialog mes forcave shqiptare është e mirëseardhur.
 
Ahmeti thotë se gjithsesi komunikimi me Thaçin ka vazhduar pas Pogradecit në kuadër të bisedimeve në klubin e deputetëve.  
 
“Unë agjendën e kisha shumë të ngjeshur, por mbasi kishin kërkuar, thashë ok do të shkoj. Por, mbasi shkova e pashë Edi Ramën dhe Thaçin bashkë dhe pasi u afrova aty, Menduh Thaçi në mënyrë demonstrative u largua. Unë mendoj se ky takim ishte i dështuar. Me Menduh Thaçin kemi biseduar rreth agjendës. Thjesht një marrëdhënie komunikimi mes dy partive”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Për sa i përket daljes eventuale të BDI-së nga qeveria, Ahmeti është i prerë. Interesi i shqiptarëve menaxhohet vetëm në institucione.
 
“Nuk bëj teatër, shqiptarët janë të rëndësishëm në këtë vend. Po braktisëm ne qeverinë, instalohet krizë e thellë dhe nuk jemi për të shkaktuar krizë, por për të zgjidhur dhe zgjidhja është interes i shqiptarëve”- tha Ahmeti.
 
Ahmeti ka qenë i prerë edhe për sa i përket përdorimit të flamurit shqiptar në Maqedoni, si dhe avancimit të të drejtave për t’u arsimuar të shqiptarëve.
 
“Ma thuaj një vend të botës që një flamur i një shteti tjetër valëvitet i garantuar me ligj në ndonjë vend tjetër të botës përpos flamurit shqiptar? Shtylla kryesore e kombit kush është? Është simboli kombëtar dhe është arsimi. Universiteti i Tetovës sot ka mbi 20 mijë studentë, i akredituar në gjithë hapësirën shqiptare në RM”- theksoi  Ahmeti.
 
Ahmeti nuk ka mendime të ndara për politikanët maqedonas. Për të edhe lideri i VMRO-së edhe ai i LSDM-së janë njësoj kur bëhet fjalë për shqiptarët.
 
“Nuk dallojnë sa i takon avancimit të çështjes shqiptare as VMRO e LSDM dhe kjo ka vazhduar edhe me partinë e Nikolla Gruevskit.  Është çështja e gjuhës shqipe dhe këtu dyja palët duhet të reflektojnë, pasi edhe pas 2001-shit kemi një Maqedoni tjetër”- u shpreh ai.
 
Në pyetjen nëse lufta e 2001 u bë për këtë Maqedoni kështu si është sot, Ahmeti dha këtët përgjigje:“Unë kur e kam filluar veprimtarinë e kam filluar për Shqipëri, këto toka të jenë Shqipëri, as Maqedoni e as Kosovë. Me kalimin e viteve e kam parë që ajo Shqipëri që kam ëndërruar nuk bëhet dhe nuk do të mund të gjesh një përgjigje më të sinqertë. Por, tani duhet t’i materializojmë këto kërkesa që kemi tani, Maqedonia të jetë shtet i barabartë i të dyja etniteteve”.
 
Lideri i BDI-së beson në fuqinë e dialogut politik. Në emisionin “Opinion”, Ahmeti thotë se duhet lënë hapësirë për dialogun politik, që tashmë po zhvillohet me ndërmjetësim ndërkombëtar, e për të cilin shpreson se do të ketë rezultat.
 

MERAL ISMAILI