Bullizmi dhe dhuna psikologjike në shkolla, bullizmi, një rrezik i fshehur në shkolla

08.09.2025 15:19

Në ditët e sotme, një nga problemet më shqetësuese...

Në ditët e sotme, një nga problemet më shqetësuese në shkolla është dhuna psikologjike, e njohur edhe si bullizëm. Shumë nxënës, sidomos të rinjtë, përballen çdo ditë me forma të ndryshme të dhunës verbale dhe emocionale, të cilat shpesh nuk janë të dukshme, por lënë pasoja shumë të mëdha në jetën e tyre, thekson psikologia, Sumeja Ramadani.

“Dhuna psikologjike, apo në shkolla siç thuhet mes bashkëmoshatarëve, ne e quajmë bullizëm, kohët e fundit ka  filluar të përhapet më shumë, ndoshta çdoherë ka qenë, mirëpo në një farë mënyre ka pasur sukses tentativa për ta mbuluar edhe për ta shtyrë “ndër tepik”, ndërsa tani nëpërmjet rrjeteve sociale platformave digjitale, po del më shumë në shprehje. Dhuna psikologjike apo bullizmi definitivisht  hap pasoja shumë të mëdha dhe plagë shumë të mëdha në botën e brendshme të personave. Sa më e njomë që është mosha, aq më e madhe bëhet plaga, e pastaj edhe kurimi i asaj plage bëhet më i rëndë.”, - theksoi psikologia, Sumeja Ramadani.

Bullizmi nuk është një sjellje e lindur, por diçka që mësohet dhe përsëritet. Ai ndodh në klasë, në oborrin e shkollës, por gjithnjë e më shpesh edhe në rrjetet sociale, ku fjalët dhe veprimet lënduese shpërndahen shumë shpejt. Kjo formë dhune e bën situatën edhe më të vështirë për viktimat, theksoi Ramadani.

“Dhuna nuk është një sjellje e lindur, mirëpo është një sjellje e mësuar. Çdo fëmijë i cili implementon dhunë, ka parë dhunë. Kjo mund të jetë observim i dhunës në familje, observim i dhunës në shkollë, observim i dhunës nëpër filma, nëpër rrjetet sociale edhe pastaj i mbytemi asaj. Të gjithë kujdestarëve të klasës, mësuesve në shkollat fillore dhe të mesme, u them që të ndajnë pak kohë për të diskutuar për tmerrin që mund të ndodhë, për bullizmin, edhe mos t’i emërojnë fëmijët me nofka të ndryshme. Ne shumë mirë e dimë që ndonjëherë edhe arsimtarët, mësuesit, jo nga qëllimi i keq, mirëpo nga mosinformimi, ndonjëherë dinë t’u japin nofka fëmijëve dhe pastaj ajo nuk është një dhunë lineare.”, - u shpreh psikologia, Sumeja Ramadani.

Psikologët, mësuesit dhe kujdestarët duhet të jenë gjithmonë të vëmendshëm. Edukimi i nxënësve mbi respektin dhe empatinë është çelësi për të ndërtuar një ambient shkollor të shëndetshëm, ku secili fëmijë ndihet i sigurt dhe i pranuar. Sipas psikologëve, dhuna më e shpeshtë që bëhet është dhuna psikologjike. (Abibe Qaili, TVM2)