Sistem i ri termineve mjekësore, Aliu: Do të jetë lehtësim për qytetarët

08.09.2025 16:15

Sistemi elektronik për caktimin e kontrolleve “Termini im”...

Sistemi elektronik për caktimin e kontrolleve “Termini im” shpeshherë është kritikuar nga qytetarët, të cilët janë ankuar se në raste urgjente janë detyruar të caktojnë termine në klinika private.

Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se nuk kanë pritur gjatë kur kanë pasur termin të caktuar tek mjeku specialist, megjithatë thonë se ka nevojë edhe më shumë të avancohet sistemi “Termini im”.

“Vëllain e kam me infeksion, nuk i japin terapi asgjë. Ka pritur 3 javë për biopsi, rezultatet i dolën negativë, e tani nuk i japin terapi. Ka dhimbje, por kot. Nuk di ku të ankohem.”, - tha një qytetar.

“Nuk kam pritur gjatë kur kam pasur termin të caktuar.”, - tha një qytetar tjetër.

“Nuk kam pritur gjatë, por mendoj se duhet më shumë të punohet në lidhje me terminet.”, - u shpreh një qytetar.

TVM2 kërkoi nga numri një i dikasterit të Shëndetësisë, Azir Aliu, sqarim për ankesat e qytetarëve nga ku u potencua se në të ardhmen parashihet të rregullohet kjo çështje përmes  sistemit  të ri të termineve për qytetarët.

“Bëjmë një sistem të ri, i cili do të mundësojë edhe më lehtë, por edhe në aspekt vizual të menaxhojë më lehtë me terminet. Te terminet është shumë e vërtetë që pacientët dhe qytetarët tanë ndonjëherë presin dhe janë dy indikatorë që i kemi zbuluar. Një është se qytetari insiston tek një mjek me emër dhe mbiemër dhe dëshiron të ketë termin për tek ai mjek dhe shpesh ndodh janë mjekët më të mirë dhe e kanë listën e madhe të gjatë të pacientëve. Qytetari pasi që insiston me emër dhe mbiemër tek mjeku duhet të presë derisa të gjendet një termin i lirë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Problem shtesë në lidhje me terminet, sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, është edhe fakti  se mjekët nuk hapin termine sa u takon me ligj.

“Indikatori i dytë në aspektin e termineve që kemi detektuar është që mjekët jo çdoherë hapin termine aq sa i kanë me ligj. I kemi detyruar tani të gjitha klinikat dhe drejtorët të paktën edhe me ligj është që nga data 1 deri në 5 të çdo muaji, secili mjek është i obliguar që terminet t’i definojë në sistemin elektronik, ndërsa nga 5 deri 10 çdo drejtor i klinikës apo institucionit shëndetësor është i obliguar që t’i mbyllë këto procese dhe ato të jenë pastaj vizibil për ministrinë dhe qytetarët. Pra, në këtë aspekt të dy indikatorët i kemi detektuar si problematikë dhe do t’i zgjidhim shumë shpejt.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Azir Ali.

Problemi i termineve vjen edhe si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, thotë ministri Aliu, sidomos  mjekëve, specialistëve dhe subspecialistëve të lëmive të ndryshme. Sistemi elektronik i caktimit të takimeve "Termini im" filloi të zbatohet  në vitin 2014,  për të lehtësuar aksesin e pacientëve në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe për të mbajtur të dhëna për gjendjen e tyre shëndetësore. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)