Përplasje për ndikimin serb në RMV, ASh: VLEN-i promovon botën serbe

08.09.2025 16:44

Partitë shqiptare me akuza të ndërsjella...

Partitë shqiptare me akuza të ndërsjella për përfshirje në politike që kanë për qëllim promovimin e botës serbe në RMV.

ASh-ja e udhëhequr nga Arben Taravari reagon ashpër pas vizitës së ministres së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale në Qeverinë e Serbisë, Milica Burnevi Stamenkovski, e cila gjatë qëndrimit në Manastir ka bërë deklarata që, sipas tyre, përbëjnë promovim të “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut.

“Deklaratat e Milica Gjurgjeviq Stamenkovski janë skandaloze. Ajo foli për flamurin serb si flamur mbijetese dhe luftërash për çlirim, bëri homazh në varrezat e Manastirit për ushtarë serbë të rënë dhe promovoi narrativin e botës serbe, duke i përfshirë besimtarët ortodoksë në Manastir, Ohër dhe, siç tha ajo, Kosovë e Metohi.”,   thuhet në komunikatën e ASh-së.

BDI: Deklarata e ministres serbe është provokim

Edhe  Bashkimi Demokratik për Integrim e ka dënuar fuqishëm ngjarjen në Manastir, ku për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, një delegacion i lartë shtetëror i Serbisë, i shoqëruar nga përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë zyrtare dhe me protokoll shtetëror festoi pushtimin serb të Maqedonisë dhe Kosovës nën petkun e të ashtuquajturit “Fronti i Selanikut”.

“Deklaratat e ministres serbe, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, se “maqedonasit dhe serbët janë një trung, një rrënjë dhe kanë të ardhme të përbashkët”, përbëjnë provokim të hapur historik dhe ndërhyrje flagrante në identitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. BDI thekson qartë se projektet nacionaliste të “botës serbe” nuk kanë vend në Maqedoninë e Veriut.”. thuhet në komunikatën  e BDI-së.

VLEN: Taravari e Ahmeti përkrahin frymën serbe

Këtyre akuzave i është kundërpërgjigjur njëri nga liderët e VLEN-i, Izet Mexhiti, i cili ka theksuar se nëse analizohen deklaratat e kryetarit të ASh-së, Arben Taravari, opinioni mirë mund ta kuptojë se kush ka gisht në botën serbe.

“Taravari është kthyer bash aty ku është bota serbe, nuk duhet më tepër, vetëm merrni deklaratat e Taravarit për Ahmetin viteve të fundit se çfarë ka thënë dhe si ka thënë dhe si i ka gëlltitur të gjitha ato të cilat i ka thënë.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN. 

Edhe përskaj përplasjeve politike nga të dyja blloqet kanë theksuar se e ardhmja e vendit është në BE, duke u mbështetur në parimet dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, barazinë e qytetarëve dhe kohezionin multietnik të shoqërisë sonë. (Fitim Kryeziu, TVM2)