RMV-ja shënon 34-vjetorin e pavarësisë, politikanët shprehën mesazhe për unitet

08.09.2025 17:47

Me rastin e 34-vjetorit të shpalljes së pavarësisë...

Me rastin e 34-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, presidentja Siljanovska, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe liderët e partive politike, kanë dërguar mesazhe urimi për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe të ardhmes evropiane të vendit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova rikujtoi se më 8 shtator 1991, mbi 72 për qind e qytetarëve votuan për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane.

“Sot, 34 vjet më pas, në një botë të mbështetur në forcë e jo në të drejtë, ende po e zhvillojmë betejën për një shtet sovran, të barabartë, modern, standard, evropian, juridik, anëtar të Bashkimit Evropian. Gjatë këtyre tre dekadave u përballëm me ndarje dhe kriza të shumta të brendshme, me presione dhe sfida të jashtme, me lëshime dhe kompromise që nuk janë në përputhje me vendimin referendumit të vitit 1991, e madje as me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare.”, - thuhet në urimin e presidentes, Siljanovska.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u uron qytetarëve ditën e pavarësisë me mesazhe për unitet dhe përkushtim.

“Dita e Pavarësisë është një moment i veçantë, një mundësi për të reflektuar mbi arritjet e mëdha të këtij shteti. Në këtë përvjetor, mesazhi im për qytetarët është që të bashkohemi rreth vlerave të unitetit dhe përkushtimit për të përmbushur aspiratat e vendit tonë. Është koha që secili prej nesh të japë kontributin e tij në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend.”, - thuhet në urimin e kryeparlamentarit, Gashi.

Edhe kryeministri, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij theksoi se 8 Shtatori nuk është thjesht një datë, por vazhdim i ëndrrës dhe i betejave.

Nënvizoi se integrimet evropiane mbeten prioriteti kryesor, por sipas tij, rruga drejt BE-së duhet të jetë e dinjitetshme.

“Prioriteti ynë janë integrimet evropiane. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten prioriteti kryesor, por kjo rrugë nuk duhet më të jetë e turpshme, duhet të jetë e dinjitetshme. Duhet të jetë një rrugë në të cilën do të jemi të barabartë me të gjitha kombet e tjera evropiane, e jo të poshtëruar e të turpëruar, ashtu siç fatkeqësisht të gjithë ne ndihemi.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Lideri i partisë opozitare maqedonase, Venko Filipçe, dërgoi një mesazh urimi me rastin e Ditës së Pavarësisë, në të cilin bën thirrje për vetëdije politike dhe shtetërore.

“Shteti u përket qytetarëve. Është shtëpia jonë. Shtëpia jonë është familja jonë, por edhe lagjja jonë, komuna jonë, komuniteti ynë. Të gjithë duhet të luftojmë për shtëpinë tonë. Maqedonia u përket atyre që qëndruan këtu dhe atyre që u larguan, por nuk harruan. Duhet ta mbrojmë këtë shtet, sepse nuk kemi tjetër. Dua t’i them Qeverisë, ky është një vend i të gjithëve, për të gjithë. Nuk është vetëm i juaji. Bëj thirrje për ndërgjegjësim politik dhe shtetëror.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.           

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe vlerave të bashkëjetesës.

“Kjo mendësi e re, e bashkëjetesës, e respektit dhe barazisë, zbatoi Marrëveshjen e Ohrit, anëtarësoi vendin në NATO dhe hapi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, të nderuar bashkëqytetarë, sot jemi dëshmitarë të rikthimit jo vetëm të një narrativi të njëjtë, por edhe të veprimeve të përditshme që cenojnë bashkëjetesën, Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, barazinë dhe të arriturat e përbashkëta të derisotme.”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe koalicioni VLEN ka uruar 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë.

“Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë së shtetit, 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë, e cila sot është festë e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Ky është momenti kur qytetarët e këtij vendi zgjodhën rrugën e sovranitetit dhe vendosën themelet e shtetit të lirë dhe të pavarur. Por, historia jonë moderne nuk mund të kuptohet pa përmendur edhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila i dha këtij shteti dimensionin e barazisë dhe e bëri shtëpi për të gjithë qytetarët. Pavarësia dhe barazia janë dy shtyllat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja jonë e përbashkët.”, shkruajnë nga VLEN.

Kujtojmë se më 8 shtator 1991, qytetarët e Maqedonisë shënuan një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne, përmes referendumit, mbi 72 për qind e votuesve u shprehën për një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur.

Ky vendim kurorëzoi aspiratat shekullore për liri dhe vetëvendosje, duke vendosur themelet e një shteti që sot feston 34 vjet ekzistencë.

Dita e Pavarësisë është ditë reflektimi mbi rrugën e përbashkët, mbi sfidat dhe arritjet, por edhe një thirrje për unitet, barazi dhe përkushtim ndaj së ardhmes evropiane të vendit. (Armend Murseli, TVM2)