Konstituimi i Kuvendit, Osmani do t’i dërgojë kushtetueses komente
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, konfirmoi të hënën për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata e vendosi këtë masë - që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator - në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kupina nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që presidentja do t'ia dërgojë nesër Gjykatës Kushtetuese. Por, ai shtoi se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”.
