Intensifikohen sulmet në Gazë, Netanjahu: Nuk e kemi në plan të ndalemi
Intensifikimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës...

Intensifikimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës ka marrë jetën e dhjetëra civilëve. Të paktën 65 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën. Forcat izraelite goditën çadra, banesa dhe një strehë civile në qytetin e Gazës.
Shkolla “Al-Farabi”, e cila përdorej si strehë për familje të zhvendosura, u bombardua. Të paktën 8 persona u vranë, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Disa civilë që po kërkonin ndihma humanitare u vranë në zonën Zikim, në veri të Gazës, pranë Fondacionit Humanitar të Gazës, i cili ka qenë subjekt polemikash. Janë regjistruar edhe pesë të vdekur nga uria.
Palestinezët në Spitalin “Al-Shifa” vajtojnë të afërmit e tyre, të cilët u vranë në një sulm që goditi tendat e tyre.
“Flinim në tendë me tre fëmijët e mi dhe gruan time. Gruaja ime dhe nëna ime u plagosën rëndë, ndërsa djali im vdiq. Gjithashtu edhe pesë fqinjët tanë ranë martirë dhe disa u plagosën. Ky është një kamp i mbushur me njerëz të zhvendosur.”, - tha babai i një fëmije të vrarë, Isa Sulejman.
“Fëmijët po vdesin, çfarë gabimi kanë bërë? Një fëmijë njëvjeçar, çfarë gabimi kishte?”, - tha gjyshi i një fëmije të vrarë, Hazem Isa.
“Ishin thjesht duke fjetur. Nuk kishin lidhje me rezistencën. Sulmi ajror i goditi dhe ndezi zjarrin. Filluan të bërtisnin dhe ne ikëm. Djali im, që ishte në tendën pranë, u plagos, ndërsa edhe unë u plagosa në këmbë dhe gishtërinj.”, - u shpreh palestinezja e zhvendosur, Amal Rajab.
Ndërkohë edhe në Jeruzalem ka pasur sulm me armë zjarri. Të paktën gjashtë persona u konfirmuan të vdekur në një stacion autobusi, ndërsa 11 të tjerë u plagosën, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu vizitoi vendin ku ndodhi sulmi dhe tha se: kjo nuk e demotivon Izraelin për të vazhduar luftërat.
“Këto vrasje, këto sulme, në të gjitha frontet, nuk na demoralizojnë. Ato vetëm rrisin vendosmërinë tonë për të vazhduar luftën dhe për të përmbushur misionet tona.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
OKB: Izraeli kryen gjenocid, kemi prova të forta
Kryetari i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, tha se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë dhe se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar.
“Izraeli ka një çështje për t’u përgjigjur para GJND-së dhe provat po shtohen. Por, ne kemi nevojë për veprim tani, për të ndaluar masakrën. Komuniteti ndërkombëtar po dështon në detyrën e tij. Kemi dështuar në Gazë. Ku janë hapat vendimtarë për të parandaluar gjenocidin? Pse vendet nuk bëjnë më shumë për të parandaluar krimet e tmerrshme? Pasiviteti nuk është opsion. Ata duhet të ndalojnë fluksin e armëve për në Izrael që rrezikojnë shkeljen e ligjeve të luftës.”, - theksoi kryetari i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk.
Spanja vendos 9 masa të reja kundër Izraelit
Ndërkohë kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, tha se qeveria e tij e majtë do të miratojë një dekret me nëntë masa për të ndaluar shitjen dhe blerjen e pajisjeve ushtarake me Izraelin, ndërsa do të kufizojë hyrjen në territor për ata që marrin pjesë në gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte.
“Marrja urgjente e një Dekreti Mbretëror që do të konsolidojë ligjërisht embargon e armëve ndaj Izraelit, që ne kemi zbatuar në praktikë që nga tetori 2023. Ky ligj vendos një ndalim të përhershëm ligjor për blerjen dhe shitjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake për Izraelin; ndalimi i transitit nëpër portet spanjolle për të gjitha anijet që transportojnë karburant për forcat e armatosura izraelite; refuzimi i hyrjes në hapësirën ajrore spanjolle për të gjitha avionët shtetërorë që transportojnë materiale mbrojtëse për Izraelin.”, - u shpreh kryeministri spanjoll, Pedro Sançez.
Këto janë vetëm disa nga nëntë masat e vendosura kundër Izraelit nga ana e Spanjës. Nga ana tjetër, presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, thotë se është afër një marrëveshjeje me Hamasin për Gazën dhe lirimin e pengjeve.
“Mendoj se do të kemi një marrëveshje për Gazën shumë shpejt. Është një problem i madh. Harrojnë që është një problem që duam ta zgjidhim për Lindjen e Mesme. Për Izraelin. Për të gjithë. Po punojmë për një zgjidhje që ndoshta mund të jetë shumë e mirë. Së shpejti do të dëgjoni për marrëveshjen. Po përpiqemi ta përfundojmë. Të marrim pengjet mbrapsht dhe do ta përfundojmë marrëveshjen.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, edhe Hamasi njoftoi se ka marrë "disa ide" nga ShBA-ja nëpërmjet Katarit dhe Egjiptit në lidhje me një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe se ka mirëpritur çdo hap që do të ndihmojë në përfundimin e sulmeve gati dyvjeçare të Izraelit në Gazë, që morën jetën e gati 65 mijë civilëve.
Rikujtojmë se Hamasi pranoi propozimin për armëpushim, të përcjellë më 18 gusht nga ndërmjetësuesit dhe të bazuar në propozimin e ShBA-së, por që Izraeli nuk i është përgjigjur propozimit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
