Botë

Bie qeveria në Francë, vendi në pasiguri politike

09.09.2025 13:13

Qeveria franceze nuk arriti të fitojë votëbesimin në Parlament, duke hyrë kështu në një periudhë të re të pasigurisë politike....

Qeveria franceze nuk arriti të fitojë votëbesimin në Parlament, duke hyrë kështu në një periudhë të re të pasigurisë politike. Ky zhvillim shënon një tjetër goditje për presidentin Emanuel Makron, i cili tani përballet me detyrimin për të emëruar një kryeministër të ri. Deputetët kundërshtuan kursin e propozuar nga kryeministri Bayrou për uljen e shpenzimeve publike dhe reformimin e borxhit shtetëror. Krahët opozitarë, veçanërisht e majta radikale, e akuzojnë Makronin për politika në shërbim të të pasurve dhe për injorim të nevojave të qytetarëve të zakonshëm. Kjo parti kërkon dorëheqjen e presidentit Makron, pasi Qeveria nuk arriti të mbijetojë votëbesimin në Parlament. Kryeministri Bayrou vetë kërkoi zhvillimin e votimit, me shpresën se deputetët do ta mbështesnin në këtë qëndrim. 
 
“Bayrou kërkoi një moment të së vërtetës dhe unë besoj se ai e mori. Por, ajo që tregon rezultati, madje edhe përtej qeverisë së Bayrou, është mashtrimi që Makroni i ka bërë popullit, i cili po del në pah. Kuptoni se vetëm një e treta e Parlamentit i dha besimin kryeministrit. Kjo do të thotë që politika e Makronit, në shërbim të të pasurve dhe në një luftë sociale kundër popullit, mori dy të tretat e votave kundër në Parlament.”, - deklaroi deputetja dhe kryetarja e grupit të majtë radikal, “Franca e pashtruar”, Matilde Panot.
 
Në votimin e mbajtur në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan kundër qeverisë, ndërsa vetëm 194 i dhanë besimin. 
 
"Emanuel Makron duhet të shpërndajë Parlamentin. Kur situata është në ngërç, siç është tani në Asamblenë Kombëtare, nuk ka shumicë. Duhet t’i kërkohet popullit francez të vendosë.", - theksoi deputeti i "Rassemblement National”, Sebastien Chenu.
 
"Ose ka një kryeministër që është i aftë të gjejë një mënyrë për të shmangur mocionin e mosbesimit kur paraqet buxhetin, ose ky kryeministër nuk është i aftë ta bëjë këtë. Dhe në atë rast, do ta rikthejmë në tryezë çështjen e shpërndarjes së Asamblesë, por jo nga dëshira, e as nga kapriçot, thjesht, sepse është mënyra e vetme në realitet, dhe mënyra më e mirë sipas Kushtetutës sonë për të dalë nga një krizë politike që, me kalimin e kohës, mund të shndërrohet në një krizë të regjimit.", - theksoi deputetja në Asamblenë Kombëtare, Marine Le Pen.
 
Rezultati i votimit shënoi një krizë të re për ekonominë e dytë më të madhe në Evropë. Presidenti Makron tani duhet të emërojë kryeministrin e katërt brenda 12 muajsh.  Bayrou është kryeministri i gjashtë nën presidencën e Makronit që prej zgjedhjes së tij në vitin 2017, por i pesti që prej vitit 2022, duke theksuar paqëndrueshmërinë politike. Rrëzimi i tij vjen në një kohë kur Makroni është i angazhuar në përpjekje diplomatike për luftën në Ukrainë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU