Maqedoni
Promovohen targat e veturave zyrtare, Tomovski dhe Fetai: S’do të ketë më keqpërdorime
09.09.2025 13:41
Targa me ngjyrë të kuqe, me numra dhe shkronja të shkruara me të verdhë, të cilët janë tejet të dallueshme nga targat e zakonshme të automjeteve....

Targa me ngjyrë të kuqe, me numra dhe shkronja të shkruara me të verdhë, të cilët janë tejet të dallueshme nga targat e zakonshme të automjeteve. Kështu duken automjetet e para zyrtare në pronësi të shtetit të cilave iu vendosën targat e reja. Drejtori i shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski, tha se rregullorja parasheh që afati i fundit për zëvendësimin e tyre të kryhet para fillimit të fushatës zgjedhore.
“Ne u dhamë udhëzime dhe rekomandime të gjitha institucioneve në vend që të fillojnë zëvendësimin e targave. Le të jetë kjo thirrja e dytë. Ata kanë afat deri më 15 shtator të këtij muaji për të brenduar të gjitha automjetet. Në qoftë se ata nuk e bëjnë këtë, ne do t’i thërrasim për të tretën herë për t’i brenduar ato, me qëllim që deri më 29 shtator, para fillimit të fushës zgjedhore, të gjitha automjetet zyrtare të jenë me targat e reja.”, - deklaroi drejtori i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski.
Rregullorja nuk parasheh gjoba për institucionet të cilët nuk do t’i zëvendësojnë targat e automjeteve të tyre deri më 29 shtator, por këtë gjë ato detyrimisht do ta bëjnë përmes regjistrimit të tyre, kur ata do të vendosin targat me ngjyra të veçanta, sqaron Tomovski. Të përjashtuar për të vendosur targa të brenduara do të jenë vetëm disa automjete të Byrosë për Siguri Kombëtare dhe të MPB-së, të cilët përdoren për qëllime specifike. Pavarësisht kësaj, në Byronë për Siguri Publike po punohet për të parandaluar çdo keqpërdorim të mundshëm të pozitës apo resurseve.
“Në kuadër të MPB-së, çdo keqpërdorim i cili është denoncuar, nga ana jonë po procesuohet dhe hetohet dhe çdonjëri që ka bërë ndonjë lloj të keqpërdorimit me mjete materiale dhe resurse ose me prezencën e tij fizike në takime eventuale politike do t’i nënshtrohet sanksioneve.”, - theksoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, përshëndet këtë veprim, duke thënë se i njëjti njëherë e përgjithmonë do t’i japë fund keqpërdorimit të automjeteve zyrtare.
“Unë mendoj se me identifikimin e veturave zyrtare përmes tabelave të veçanta merr fund një abuzim, i cili ishte karakterizuar me qeverisjen paraprake dhe nuk do të ketë më fenomene të tilla, pasi që qytetarët, mediat dhe kështu me radhë do të jenë në gjendje për të identifikuar veturat zyrtare në çdo moment.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Për momentin në vend nuk ka regjistër përmes së cilës do të vërtetohet numri i saktë i automjeteve zyrtare në pronësi të shtetit. Sipas autoriteteve numri i automjeteve zyrtare lëviz prej 7 deri më 7.500 automjete zyrtare, por numri i saktë i tyre do të dihet deri në fund të këtij viti, ku MPB-ja do ta përpilojë regjistrin e parë të automjeteve zyrtarë.
REXHEP QAMILI
