Maqedoni

Zgjedhjet lokale, VLEN-i zgjerohet me Lëvizjen Arbëria

09.09.2025 14:14

Koalicioni VLEN zgjerohet me përfshirjen e Lëvizjes Arbëria...

Koalicioni VLEN zgjerohet me përfshirjen e Lëvizjes Arbëria të udhëhequr nga ish-deputetët: Bekim Fazliu, Merale Ferati, Orhan Ibrahimi dhe personalitete të tjera. Krerët e subjekteve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në zgjedhjet lokale. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, tha se VLEN-i është i hapur për të gjitha forcat progresive të skenës politike shqiptare. 
 
“Jemi koalicion i përbashkët si VLEN dhe do të jemi bashkë në të gjitha komunat duke filluar nga Likova deri në komunën e Strugës. Kjo nuk ka ardhur brenda natës, d.m.th. kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm për hir të së vërtetës, pra Lëvizja Arbëria si individ, si personalitet na kanë mbështetur në vazhdimësi. Kanë hise edhe në fitoren e zgjedhjeve parlamentare, kanë hise në ndryshimin që ka ndodhur në skenën politike shqiptare.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Për Bekim Fazliun bashkëpunimi ka ardhur si nevojë qytetare dhe pas konsultimeve brenda strukturave të lëvizjes.
 
“Ne hapim një kapitull të ri, kapitullin e bashkimit, besimit dhe shpresës për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze, një të ardhme ku dera e parë që troket qytetari në pushtet është ajo e komunës dhe të bëhet vendi ku fillon demokracia e vërtetë. Pas dy dekadave ngecje është koha për kapërcimin e madh për zgjidhjen e problemeve elementare.”, - theksoi Bekim Fazliu nga Lëvizja Arbëria.
 
Koalicioni VLEN konsideron se marrëveshja është një hap tjetër drejt fitores së përbashkët dhe ndërtimit të një të ardhmeje evropiane, të lirë nga krimi dhe korrupsioni.
 
MERAL ISMAILI