Maqedoni

Manifestimi në Manastir, Osmani: RMV-ja, thellë nën kthetrat e botës serbe

09.09.2025 14:41

Akademia solemne e organizuar nga delegacioni shtetëror i Serbisë në Manastir, ku u festua “Beteja e Selanikut” ngjalli reagime të forta në opinion....

Akademia solemne e organizuar nga delegacioni shtetëror i Serbisë në Manastir, ku u festua “Beteja e Selanikut” ngjalli reagime të forta në opinion. Sipas BDI-së, manifestimi në Manastir dëshmoi se Maqedonia e Veriut ka hyrë thellë në kthetrat e “botës serbe”. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, vlerësoi se ky plan ka fillet e veta qysh nga emërimi i Ivan Stoillkoviqit si zëvendëskryeministër për marrëdhënie mes bashkësive, ndërsa tha se edhe deputetët e Parlamentit Evropian, me 461 vota konfirmuan se në Maqedoninë e Veriut ka ndikim serb. Osmani akuzoi VLEN-in se po legjitimon një projekt të tillë.
 
“Gjetën partnerë shqiptarë për ta legjitimuar politikën serbe. Kjo është arsye pse shqiptarët aq me ngulm, aq me insistim,  kërkojnë që të përshpejtohet rruga drejt BE-së. Pse unë si ministër i jashtëm pa ndërprerë kam punuar që të ecim rrugës drejt BE-së? Për shkak se e kam ditur se çdo ngadalësim është ecje drejt botës serbe dhe ja ku përfunduam dhe sot është legjitimuar kjo nga një grup i fraksioneve politike shqiptare dhe sot Qeveria dhe kryeministri u thotë ambasadorëve: Mos keni shqetësim, se ja, shqiptarët janë në rregull me këtë kapje të botës serbe.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Mexhiti: VLEN-i nuk pret ministrat serb si BDI-ja
 
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, ngjarjen në Manastir nuk e konsideron si pjesë të ndonjë skenari serb, por vetëm si aktivitet kulturor i serbëve, të cilët jetojnë edhe në Maqedoni të Veriut. Megjithatë ai tha se për dallim kur më parë ministrat rus apo serb janë pritur nga ministra të BDI-së, tani ndodh që askush nga ministrat e VLEN-it, nuk del të presë delegacionin serb në Maqedoni.  
 
“Është një aktivitet kulturor. Ne serbët nuk mund t’i tjetërsojmë, ato janë serb dhe kanë bërë një aktivitet, thjesht një vizitë të aktivitetit kulturor. Nuk mund të krahasohet kjo tendenca se është e barabartë me qeverinë e kaluar. Unë si zëvendëskryeministër nuk kam dal t’i pres, prej juve mediave e kam dëgjuar që ka ardhur një ministër në aktivitet kulturor, për dallim nga ish-ministri i jashtëm që ia mundësoi vizitën e vetme dhe të parën në Evropë ministrit të jashtëm rus, Lavrov. Kur askush në Evropë nuk dëshironte ta pranojë Lavrovin, ishte BDI-ja dhe z. Osmani që me të gjitha  nishanet e pritën në Shkup dhe ia mundësuan  që Lavrovi ta shkelë Evropën.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Përndryshe, partitë politike çdo ditë e më tepër ashpërsojnë akuzat e tyre të ndërsjella, të cilat janë kryesisht të fokusuara te ndikimet serbe dhe ruse. 
 
ERSAN PAJAZITI