Maqedoni
VMRO – LSDM përplasen për përgjimet nga ana e ASK-së
09.09.2025 15:00
Ka vazhduar përplasja e dy subjekteve më të mëdha politike maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM...

Ka vazhduar përplasja e dy subjekteve më të mëdha politike maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, për sa i përket procesit të përgjimeve nga ana e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Bogdanka Kuzeska nga LSDM kërkoi nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare që të gjitha këto dokumente të përgjimeve të deklasifikohen. Sipas saj, është më se evidente frika që ka kryeministri Mickoski nga përmbajtja e këtyre dokumenteve. Sipas saj, me deklaratën e djeshme, kryeministri konfirmoi se nuk ka ndërmend të deklasifikojë dokumentet që do të vërtetonin pretendimet e tij se është përgjuar në mënyrë të paligjshme.
“Nëse LSDM-ja ka përgjuar siç pretendon Qeveria, pse ka frikë të deklasifikojë dokumentet? Çfarë në ato dokumente e frikëson kaq shumë Hristijan Mickoskin? A përmbajnë këto dokumente prova për bashkëpunimin e Mickoskit me shërbime të huaja armiqësore? A punoi Mickoski në dëm të interesave të shtetit për para të huaja? A ka pasur Hristijan Mickoski komunikim me agjencitë ruse që kanë financuar ekstremizmin dhe destabilizimin e shtetit? A përmbajnë këto dokumente akuza për financim të paligjshëm të partisë?”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga VMRO-DPMNE. Sipas deputetit të kësaj partie, Brane Petrushevski, LSDM-ja përpos faljes të cilën duhet ta bëjë që për 5 vite ka përgjuar kryeministrin, gazetarë dhe biznesmenë, LSDM-ja duhet t’i thërret në përgjegjësi edhe ish-drejtorët e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
“LSD-ja pranoi se përgjoi dhe monitoroi përmes ASK-së dhe AZ-së, dhe tani, në vend që të kërkojnë falje së pari, po gënjejnë dhe manipulojnë. LSD-ja duhet së pari të kërkojë falje për 5 vjet monitorim të kryeministrit Mickoski, gazetarëve dhe biznesmenëve, të cilët së bashku me familjet e tyre ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet. Pasi të kërkojnë falje, duhet të kërkojnë llogari nga Viktor Dimovski, Erold Musliu dhe Ljupço Kocevski. Në vend të kësaj, shohim se si LSD-ja po i mbron të gjithë ata që abuzuan me institucionet, sepse ata padyshim po punonin me një detyrë partiake.”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Prokuroria Publike nuk mund të heshtë për ditë të tëra dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim, sepse ka qenë e kërcënuar privatësia e një numri të madh njerëzish.
FITIM KRYEZIU
