Maqedoni

Rregulla të reja për udhëtim drejt BE-së, MPB-ja paralajmëron informim të plotë të qytetarëve

09.09.2025 15:17

Më 12 tetor 2025 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja të udhëtimit në Bashkimin Evropian...

Më 12 tetor 2025 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja të udhëtimit në Bashkimin Evropian. Nga MPB-ja paralajmërojnë se qytetarët do të informohen me kohë dhe në mënyrë të plotë, me qëllim të shmangies së vonesave në pikat kufitare. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, tha se ka komunikim të përditshëm me partnerët evropianë dhe se sipas rregullativës aktuale të BE-së, qytetarët do të duhet të plotësojnë aplikacione online.
 
“Diskutojmë çdo ditë që kjo procedurë të jetë sa më e lehtësuar dhe e qasshme për qytetarët tanë. Pajtohem se problemi më i madh mund të paraqitet në pikat kufitare të fqinjëve tanë që janë pjesë e BE-së. Detyra jonë është t’i informojmë qytetarët për aplikacionet që duhet të plotësojnë. Procedura do të bëhet online, do të zgjasë pak minuta dhe do të vlejë përdy vjet. Sapo të marrim informacion zyrtar nga BE-ja, atë do ta ndajmë me publikun. Kjo është rregullore evropiane dhe ne jemi të obliguar ta respektojmë.”, - deklaroi drejtori i BSP-së, Aleksandar Janev.
 
Sistemi i ri i hyrje-daljeve EES do të nisë më 12 tetor 2025 dhe do të zbatohet gradualisht për gjashtë muaj në 29 vende evropiane – 25 shtete anëtare të BE-së pjesë e zonës Shengen, si dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Zbatimi i plotë do të hyjë në fuqi më 10 prill 2026, kur edhe do të fillojë llogaritja elektronike e ditëve të qëndrimit. Sistemi EES po futet si një mjet digjital që do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave. Nga Unioni pohojnë se nuk do të futen viza të reja, as nuk do të imponohen procedura shtesë burokratike për shtetasit e vendeve që tashmë janë të përjashtuar nga regjimi i vizave. Ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me mënyrën e evidentimit në kontrollin kufitar.
 
ARMEND MURSELI