Maqedoni
Kumanovë, "Lagja e trimave" pret vizitorët dhe ndihmat
20.05.2015 18:04
Banorët e “Lagjes së trimave” edhe më tej janë të brengosur për fatin e familjarëve të arrestuar...

Në këtë lagje ishte sot edhe futbollisti i Kombëtares së Maqedonisë, Taulant Seferi, i cili ka ardhur nga Zvicra për t’u interesuar për Afrimin, vëllanë e tij, i cili është polic i arrestuar.
Taulanti dha apel deri tek institucionet shtetërore, por edhe tek presidenti Ivanov për lirimin e të vëllait dhe të gjithë të arrestuarit e pafajshëm.
Edhe sot, në “Lagjen e trimave” vërejtëm qytetarë e shoqata duke sjellë ndihma, siç ishte rasti me anëtarë të Këshillit të Xhamisë së Ravenit të Gostivarit.
Ndërkohë, kanë vazhduar edhe aktivitetet tjera në funksion të stabilizimit të jetës në këtë lagje.
Objektivi i kamerës sonë regjistroi një moment paksa emocionues. Rastisëm në një familje tek sapo hanin drekë dhe për fat të tyre, falë farefisit, pas dhjetë ditësh ushqimi të thatë ata sot tryezën e kishin paksa më të pasur.
“Lagjen e trimave” në Kumanovë sot e ka vizituar edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Labinota Demi, e cila ka takuar familjarë të lagjes me të cilët është solidarizuar me ta për ndodhitë e javës së kaluar në Kumanovë.
NEXHAT AQIFI
