Maqedoni
Zhbllokimi eurointegrues, Filipçe lobon në Francë
09.09.2025 15:53
Kryetari i opozitës maqedonase, në lobim ndërkombëtar për zhbllokimin e rrugëtimit evropian....

Kryetari i opozitës maqedonase, në lobim ndërkombëtar për zhbllokimin e rrugëtimit evropian. Në takim me politikanët francez në Paris, Filipçe me promovim dhe mbrojtje të interesave nacionale me rezultate dhe vizion të qartë. Ai potencon edhe njëherë punën në projekt-rezolutën që do të përfshijë një mekanizëm specifik për mbrojtjen e pozicioneve shtetërore, në rast të kërkesave joparimore nga pala bullgare gjatë negociatave.
“Është në fazën finale përgatitja e Rezolutës, e cila do të jetë një zgjidhje “fituesi me fituesin” për shtetin dhe qytetarët. Me këtë rezolutë do të ofrojmë mekanizëm nacional për ballafaqimin e kërkesave eventuale bullgare joparimore gjatë ecurisë së negociatave, nëse në ndonjë mënyrë dalin jashtë kornizës negociuese. Me miratimin e rezolutës, me konsensus nacional do t’i vërtetojmë këto pozicione, por edhe do të ndërtojmë konsensus nacional për atë se si t’i mbrojmë institucionet vendore.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: Politika e LSD-së na kushtoi dhe dëmtoi
Reagojnë nga VMRO-DPMNE-ja. E quajnë turp dhe dyfytyrësi sjelljen e Filipçes dhe LSD-së, të cilët flasin për ndonjë rezolutë dhe aq më tepër për një zgjidhje: “fituesi me fituesin”, ku sipas partisë kryesore në pushtet, nuk i sjellin asnjë dobi shtetit dhe shoqërisë ata që ndryshuan vlerat nacionale disa herë gjersa ishin në pushtet.
“Nëse kanë harruar, pikërisht për shkak tyre, të politikës së tyre ndërkombëtare në 30 vitet e kaluara, Maqedonia e ndryshoi emrin, flamurin dhe Kushtetutën. A do të thotë zgjidhja “fituesi me fituesin” që ne ta ndryshojmë sërish Kushtetutën, ndërsa pala tjetër të vazhdojë me kërkesa të reja? Në këtë zgjidhje “fituesi me fituesin” a ka garanci me shkrim se kjo do të jetë kërkesa e fundit e Bullgarisë? A është kjo rezoluta e LSD-së dhe Filipçes në interes të qytetarëve maqedonas ose vetëm kënaqësi e kërkesave bullgare?”, - reagojnë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-ja sugjerojnë Filipçen që të largohet anash dhe punën e eurointegrimeve t’ua lënë atyre që ia duan të mirën shtetit, të cilët shtojnë se subjekti që mbron interesin qytetar është pikërisht VMRO-DPMNE-ja.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
