Botë
Rriten tensionet në Gazë, Izraeli përdor të gjitha forcat
09.09.2025 16:16
Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten....

Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten. Izraeli u ka bërë thirrje banorëve të Gazës që të largohen menjëherë nga qyteti, duke paralajmëruar për intensifikim të sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore për ta pushtuar Gazën.
“Mbrojtja izraelite është e vendosur të përballet me Hamasin dhe të veprojë në të gjithë Rripin e Gazës me një forcë të paparë. Evakuimi është i detyrueshëm, pasi qëndrimi në zonë është shumë i rrezikshëm për sigurinë tuaj. Menjëherë largohuni! Evakuoheni, sepse vijmë me të gjitha kapacitetet tona të luftës.”, - theksoi zëdhënësi i IDF-së, Aviçaj Adrae.
Pas sulmit të djeshëm në Jerusalemin Lindor, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu premtoi një përshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve ushtarake. Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënoi me një "uragan të fuqishëm", nëse Hamasi nuk i liron pengjet e fundit dhe nuk dorëzohet.
“Urdhri im është të veprohet me forcë të plotë kundër strehimeve të terrorit. Sapo kemi evakuuar popullatën nga atje. Ky është vetëm fillimi i një operacioni më të madh intensiv. Dua që banorët e Gazës të më dëgjojnë, bëhuni të kujdesshëm, sepse nuk e kemi në plan të ndalemi, pa e përmbushur misionin tonë!”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kërkoi më shumë angazhim nga Evropa për të sjellë paqe dhe për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Palestinës.
“Nuk mund të lejojmë që tmerret që po shohim të bëhen të zakonshme. Situata është e paqëndrueshme dhe e papranueshme. Shumë persona ende mbahen peng. Janë hedhur shumë bomba. Shumë fëmijë tani e njohin vetëm luftën dhe urinë. Duhet një zgjidhje politike që do t’i japë fund dhunës dhe terrorit dhe do të kthejë pengjet në shtëpi. Na nevojitet një armëpushim dhe një perspektivë reale drejt zgjidhjes me dy shtete.”, - theksoi kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi për përkeqësimin e situatës humanitare, për shkak të zhvendosjeve të vazhdueshme të popullsisë drejt jugut të Gazës.
“Gjatë ofensivës aktuale në Gazë, ushtria izraelite ka lëshuar disa urdhra gjatë ditëve të fundit që njerëzit të largohen nga disa ndërtesa në qytetin e Gazës, duke paralajmëruar për sulme të menjëhershme. Njerëzit të dëshpëruar kanë nevojë për ushqim, ujë dhe strehim. Nevojiten shumë më tepër burime për të mbështetur qindra mijëra njerëz, si në veri, ashtu edhe në jug të Rripit të Gazës, pasi shumë janë zhvendosur disa herë.”, - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
Ndërkohë, presidenti i ShBA-së dërgoi një paralajmërim të fundit drejt Hamasit që të pranojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Nga ana tjetër, grupi rezistent Hamas është shprehur i gatshëm që të ulet në tryezën e bisedimeve, por Izraeli nuk i ka pranuar propozimet për paqe.
FARIJE DAUTI BAKIU
