Maqedoni
Lista zgjedhore, kontrolli i të dhënave do të mbarojë nesër në mesnatë
10.09.2025 09:44
Nesër në mesnatë përfundon shikimi publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet lokale....

Verifikimi publik në të dhënat e Listës zgjedhore për Zgjedhjet lokale 2025 do të përfundojë nesër në mesnatë, ndërsa dy ditë më vonë, më 13 shtator në mesnatë, përfundon afati për parashtrim të listave për kandidatë për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë.
Më 29 shtator do të fillojë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara për më 19 tetor. Do të votohet në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit në 3.480 vendvotime.
Qytetarët verifikimin publik mund ta bëjnë sot deri në orën 20:00 në njësitë dhe zyrat rajonale të KShZ-së, ndërsa nesër më 11 shtator, dita e fundit e afatit, shërbimet e Komisionit do të punojnë deri në mesnatë. Qytetarët, kërkesën për regjistrim, plotësim apo shlyerje të të dhënave në ekstraktet e Listës zgjedhore që është vënë për verifikim publik i parashtrojnë me shkrim drejt sektorit rajonal të KShZ-së apo zyrës lokale në rajonin ku jeton, apo përmes postës elektronike drejt KShZ-së.
KShZ-ja është e detyruar të vendosë për kërkesat dhe raportet e qytetarëve me një vendim brenda 24 orëve nga dita e marrjes së kërkesës. Kundër vendimit për refuzimin e kërkesës, qytetari mund të ngrejë padi në Gjykatën Administrative në mënyrë elektronike brenda 24 orëve nga marrja e vendimit. Në bazë të një padie, Gjykata Administrative duhet të vendosë brenda 24 orëve dhe menjëherë t’ia dorëzojë vendimin paditësit në mënyrë elektronike. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative i nxjerrë pas padisë për regjistrim, ndryshim dhe fshirje është pjesë integrale e Listës zgjedhore të nënshkruar nga KShZ-ja.
