Maqedoni
Inspektimi i listës zgjedhore, Demiri: Nesër në mesnatë do të skadojë afati
10.09.2025 14:21
Të enjten në mesnatë do të skadojë afati për mbikëqyrjen në listën zgjedhore...

Të enjten në mesnatë do të skadojë afati për mbikëqyrjen në listën zgjedhore. Deri atëherë vijon procesi për kontrollin e listës zgjedhore të KShZ-së, ku të gjithë qytetarët mund t’i kontrollojnë të dhënat e tyre personale dhe të paraqesin parregullsi ose ndryshime eventuale të të dhënave të tyre deri tek KShZ-ja. Nënkryetari i saj, Abdush Demiri, për TVM 2 thotë se deri më tani inspektimin e listës zgjedhore e kanë bërë rreth 6.000 qytetarë. Pas përfundimit të këtij afati vijon procesi i azhurnimit dhe përditësimit të të dhënave të atyre qytetarëve, të cilët kishin bërë parashtresa për ndryshim të të dhënave.
“Po vijon procesi i shikimit publik në listën zgjedhore, i cili ka filluar më 23 gusht. Deri më tani që po flasim, numri i votuesve të cilët i kanë kontrolluar të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore është 5.729 votues. Afati i shikimit publik përfundon nesër, respektivisht më 11 shtator, ora 00:00 në mesnatë. I ftoj qytetarët të cilët janë të interesuar që të kontrollojnë të dhënat e tyre, të cilët dëshirojnë të plotësojnë apo ndryshojnë të dhënat e tyre, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë deri nesër.”, - deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri.
Në ndërkohë, deri më 13 shtator do të përfundojë afati për dorëzimin dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për të gjithë kandidatët e mundshëm. Dy ditë më vonë, respektivisht më 15 shtator, KShZ-ja do të bëjë verifikimin e të gjithë kandidatëve për kryetarë të komunave dhe listat për këshilltarë komunalë, të cilët do të garojnë zyrtarisht në zgjedhjet e teta lokale në tetor.
“Pjesëmarrësit në zgjedhje listat e tyre i dorëzojnë deri tek komisionet komunale deri në afatin e përcaktuar, respektivisht deri më 13 shtator në mesnatë. Pas këtij afati, KShZ-ja i shqyrton të gjitha listat, ku shikohet a janë dorëzuar të njëjtat në afatin e përcaktuar kohor, e më pas shqyrton kushtet tjera të cilat janë paraparë në Kodin Zgjedhor dhe nëse vërejnë ndonjë mangësi në ndonjë listë u japin afat 48 orë, që të njëjtat mangësi t’i mënjanohen dhe të dorëzohen përsëri në listat e plotësuara dhe më pas KShZ-ja në përputhje me Kodin Zgjedhor do të vërtetojë listat pjesëmarrëse.”, - theksoi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri.
Në vijim e sipër në KShZ po ashtu është edhe paraqitja për vëzhgimin dhe raportin e zgjedhjeve dhe ekipimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore. Deri më tani janë akredituar 14 vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, ku ata po ndjekin punën e KShZ-së dhe të komisioneve komunale zgjedhore. Rrethi i parë i votimit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Në këto dy rrethe zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin 80 kryetarë të komunave dhe po aq këshille komunalë dhe njëherësh do të zgjedhin edhe kryetarin e Qytetit të Shkupit.
REXHEP QAMILI
