Ekonomi
Ekonomi, Mickoski: Inflacioni po bie
10.09.2025 15:15
Ngadalësimi i inflacionit në bazë mujore është një tregues i mirë i inflacionit bazë, thotë Mickoski...

Ngadalësimi i inflacionit në bazë mujore është një tregues i mirë i inflacionit bazë, thotë kryeministri, Hristijan Mickoski, i cili pret që trendi të vazhdojë dhe të arrijë nën tre përqind. Ai duke u përgjigjur në lidhje me statistikat e fundit, të cilat kanë notuar rritje të shportës konsumatore dhe inflacionit, tha se po ndjekin një politikë të qëndrueshme makroekonomike.
“Kjo është norma mujore, duke përfshirë edhe normën vjetore, nëse e shikojmë krahasuar me korrikun, kemi një rënie nga 4.9 në 4.4 përqind. Pres që ky trend të vazhdojë ngadalë dhe të arrijë ato përqindje të qëndrueshme, do të thoja, 2, 2.5 përqind. Kjo është ajo që presim në periudhën në vijim. Por, ajo që është e rëndësishme është se nëse bëni një analizë të thelluar, do të shihni se në baza mujore, për herë të parë, inflacioni bazë është negativ, pra në minus. Ky është një tregues i mirë se po përjetojmë ngadalë stanjacion dhe një rënie të inflacionit bazë, i cili ishte nxitësi kryesor i inflacionit të përgjithshëm.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Qytetarët ankohen për çmime të larta
Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të ankohen se çmimet janë shumë të larta, ndërsa rrogat po qëndrojnë të ulëta. Sipas tyre, kjo po ndikon që ata të kufizojnë blerjet.
“Çmimet janë sikur të jemi në Evropë, madje në Evropë më lirë janë specat se këtu. Edhe rrogat janë më të larta, edhe malli më lirë është.”, - tha një qytetar.
“Pagesat e popullatës që punojnë në shtet janë të vogla. Për shembull, një kilogram speca 70-80 denarë është bukur shtrenjtë, sepse të ardhurat janë të vogla.”, - tha një qytetar tjetër.
“Çmimet janë në ajër, shumë të shtrenjta. Të gjitha janë të shtrenjta.”, - u shpreh një qytetar.
“Çmimet janë shumë më të shtrenjta tani. Nuk kemi mundësi të blejmë më ne.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Përndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se kostoja e jetesës në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, është rritur me 4.4 për qind, ndërsa çmimet me pakicë me 4.1 për qind. Inflacioni i matur përmes indeksit të kostos së jetesës në gusht të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, arriti në 0.2 për qind.
ERSAN PAJAZITI
