100% dëmshpërblim për dëmet nga fatkeqësitë natyrore

20.05.2015 18:37

Bujqit dhe blegtorët që do të pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike do të marrin dëmshpërblim në masën 100% dhe jo nga 60 deri në 80%, siç parashihej me ligjin në fuqi...

Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili përfshin ndihmë për ekonomitë bujqësore, për humbjet e bimëve bujqësore dhe kafshëve dhe dëmtim të serave prej xhami dhe serave prej plastmasi.

Kompensimi në masën 100% vlen për zonat me mundësi të kufizuara për prodhimin bujqësor nga humbja e të ardhurave, nga shitja e produktit, ose dëmtimit të serave të xhamit, ose serave të plastmasit.

Ndryshimi i ligjit vjen si nevojë pas raportimit të komunave të përmbytura në periudhën nga 26 janari deri më 6 shkurt, kur Maqedonia u godit nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Sipas Shërbimit Hidrometeorologjik, temperaturat jashtëzakonisht të larta për këtë kohë të vitit shkaktuan shkrirjen e dëborës, e cila e kombinuar me shirat e rrëmbyeshëm rezultoi në një rritje të nivelit të ujërave, duke shkaktuar përmbytje në 43 komuna në Maqedoni. Përmbytjet shkaktuan dëme në disa sektorë.

Më të prekur ishin sistemet e transportit, bujqësisë dhe ujitjes. Sipas të dhënave të ofruara nga komitetet komunale, 18 komuna raportuan dëme në bujqësi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)