Botë

Sulmet izraelite në Katar, Izraeli nën akuza për terrorizëm shtetëror

10.09.2025 15:32

Sulmet izraelite në Katar, Izraeli nën akuza për terrorizëm shtetëror...

Reagime dhe dënime pas sulmit izraelit ndaj delegacionit të Hamasit në Doha, i cili ishte mbledhur për të diskutuar propozimin më të fundit për armëpushim. Katari e quajti aktin terrorizëm shtetëror. Ata akuzuan Netanjahun për destabilizimin e rajonit dhe bënë thirrje për një reagim të përbashkët rajonal. Konfirmuan se nga ShBA-ja kishin marrë paralajmërim, por vetëm 10 minuta pas sulmit.
 
“Po flasim për një shtet ndërmjetësues, i cili zyrtarisht është nikoqir i negociatave. Sipas cilave standarde etike është e pranueshme kjo? A i duhet botës një mesazh më i qartë se ky? Kush po e mbyll derën drejt paqes?”, - theksoi kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheiku Mohamed Al Thani. 
 
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblodhi seancë urgjente. Presidentja e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Baerbok, bëri thirrje për përmbajtje.
 
“Eskalimi është qartësisht shqetësues. I ftoj të gjitha palët të tregojnë përmbajtje maksimale. Nuk na duhen më shumë tensione në rajon, por përpjekje të shtuara diplomatike.”, - deklaroi presidentja e Asamblesë së 80-të të përgjithshme të OKB-së, Analena Baerbok. 
 
Targetimi i liderëve të Hamasit në Katar është plotësisht i justifikuar dhe i urdhëruar pas sulmit terrorist në Jerusalem, tha Netanjahu.
 
“Ne marrim përgjegjësinë për këtë veprim. Ai mund të hapë derën për fundin e luftës në Gazë. Izraeli e pranoi propozimin e Trampit për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Nëse pranohet nga Hamasi, lufta mund të përfundojë menjëherë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Uashingtoni vlerësoi se sulmi nuk kontribuon për paqe. Trampi e kritikoi Netanjahun.
 
“Nuk jam i entuziazmuar nga e gjithë situata. Duam që pengjet të kthehen, por nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si ndodhi kjo. Jemi vërtet të pakënaqur për këtë, në çdo aspekt.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Mesazh edhe nga Brukseli – sulmi izraelit është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe e integritetit territorial të Katarit, por edhe rrezik për eskalim të mëtejshëm të dhunës në rajon. Shefja e KE-së paralajmëroi paketë masash dhe sanksione ndaj ministrave ekstremë izraelitë.
 
“Do të propozoj një paketë masash. Do ta pezullojmë përkohësisht mbështetjen bilaterale për Izraelin. Do të propozojmë sanksione për ministrat ekstremë izraelitë dhe kolonët e dhunshëm, si dhe pezullim të pjesshëm të marrëveshjes asociuese për çështje tregtare.”, - deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. 
 
Egjipti kërkon që Izraeli të mbajë përgjegjësi. Algjeria dhe Irani e quajtën sulmin akt terrorist të pabesë.
 
“Kjo arrogancë nuk do të sjellë siguri dhe stabilitet për Izraelin, por i dëshmon plotësisht botës se Izraeli nuk ka vullnet dhe dëshirë për të arritur një zgjidhje politike ose armëpushim.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badër Abdelati.
 
“I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrin masa urgjente për të ndaluar regjimin izraelit të kryejë krime të mëtejshme në Gazë.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi. 
 
Hamasi njoftoi se në sulmin izraelit në Doha kanë humbur jetën gjashtë persona, por ekipi negociator, përfshirë kryenegociatorin Khalil al Haja, ka mbijetuar. Sipas Hamasit, qëllimi ishte atentat dhe dëshmi se Izraeli nuk dëshiron marrëveshje paqeje.
 
BELINDA KOKA ADEMI