Maqedoni
Zjarri në deponinë “Drislla” ende është aktiv, Banorët lokalë: Ky është krim ekologjik
10.09.2025 15:49
Zjarri i madh ka shpërthyer në deponinë “Drislla”....

Zjarri i madh ka shpërthyer në deponinë “Drislla”. Gjatë gjithë natës janë djegur mbeturinat, pavarësisht se nga Qendra për Menaxhim me Kriza dhe DMSh-ja njoftuan se janë duke intervenuar zjarrfikësit për shuarjen e zjarrit, mbeturinat ende vazhdojnë të digjen. Ndërkohë që lufta me zjarret vazhdon dhe lagje të tëra janë mbuluar nga tymi i mbeturinave të djegura, banorët e Shkupit thonë se kjo është një katastrofë e madhe ekologjike.
“Gjithë ditën e gjithë natën është djegur deponia, flakë të mëdha dhe tym i dendur. Në mëngjes kur u zgjova, nuk mund të merrje frymë nga tymi i madh dhe ndotja. Më pas dola nga shtëpia, sepse në anën tjetër i kam dhentë në fushë dhe krejt hiri kishte rënë mbi gjethet e pemëve, mbi bar, toka dukej e gjitha e zezë. Mund ta shihje me sy të lirë se sa shumë ndotje i ka shkaktuar kjo djegie natyrës. Dy-tri herë më ka ndodhur që më kanë ngordhur mbi 20 dele nga uji, por edhe pa ndonjë shkak të qartë – kafshët ngordhin vetëm nga ndotja e madhe.”, - tha banori i fshatit Batincë, Amet Demiri.
“Deponia “Drislla” është ndotësi më i madh në të gjithë Shkupin. Këto dy ditë kemi pasur zjarr në këtë deponi dhe, siç mund të shihni vetë, i gjithë tymi i dendur nga djegia e mbeturinave përhapet në drejtim të Sopishtës. Një pjesë shkon drejt Manastirit të Markut, era e çon edhe në Vodno, më pas në Kisella Vodë, lagjen Aerodrom, Draçevë, Lisiçe dhe, natyrisht, në komunën e Studeniçanit – konkretisht në fshatin Batincë, ku edhe ndodhet vetë deponia. Kjo nuk është hera e parë. Deponia “Drislla” digjet pothuajse çdo vit, për shkak se nuk është as e mbuluar dhe as e rrethuar siç duhet. Ne kërkojmë që kjo deponi të përmirësohet dhe të përmbushë standardet evropiane. Mbeturinat duhet të riciklohen, të prodhohet bionaftë apo rrymë – nuk e di saktësisht si, por diçka duhet bërë! Ky dëm ekologjik duhet të ndalet menjëherë.”, - u shpreh banori i fshatit Batincë, Senih Brahoviq.
DMSh dhe QMK, përpjekje për shuarjen e zjarrit
Nga DMSh-ja njoftojnë se për ndihmë është dërguar një aeroplan “Air Tractor”, por ndërhyrja u ndërpre menjëherë! Arsyeja është rreziku i krijimit të vatrave të reja! Sipas pilotit të “Air Tractor”-it, siç njofton kjo drejtori, zjarri është në pjesën qendrore të deponisë dhe se çdo hedhje uji nga lartësia mund ta fuqizojë zjarrin dhe të shkaktojë ndezje të vatrave tjera.
“Shuarja me ujë nuk dha rezultate, ndaj u kalua në mbulimin me dhe të pjesës më kritike të deponisë, ku kishte djegie më të fuqishme. Prandaj, sot kemi dhënë urdhër të fillojë mbulimi agresiv i pjesës së deponisë “Drislla” ku ka më shumë tym dhe ku po ndodh djegia. Presim që deri në orët e pasdites kjo pjesë të jetë tërësisht e mbuluar dhe ndotja që po shkakton shqetësim të madh për qytetarët që nga pasditja e djeshme, të ndalet.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Banorët prej vitesh ankohen për problemet që shkakton deponia “Drislla”, ndotje e ajrit, erë e rëndë dhe rrezik për shëndetin publik. Zjarri aktual nuk është një rast i izoluar, kjo deponi digjet pothuajse çdo vit, duke u kthyer në një bombë ekologjike të heshtur për të gjithë rajonin e Shkupit. Qytetarët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe jo masa të përkohshme që vetëm e shtyjnë problemin pa e zgjidhur atë. Koha për veprim konkret ka ardhur.
FARIJE DAUTI BAKIU
