Maqedoni

Universiteti i Tetovës, studentët mund të aplikojnë prej 9 deri më 12 shtator

10.09.2025 16:06

Në të gjitha universitetet e vendit diku ka përfunduar afati i dytë i aplikimit të studentëve...

Në të gjitha universitetet e vendit diku ka përfunduar afati i dytë i aplikimit të studentëve, ndërsa në shumë prej tyre akoma është duke u realizuar faza e dytë. Edhe në Universitetin e Tetovës ka filluar afati i dytë i regjistrimeve për studentët e rinj në vitin akademik 2025/26. Ky afat do të zhvillohet në të gjitha njësitë akademike të UT-së dhe u jep mundësi kandidatëve që nuk arritën të regjistrohen në afatin e parë. Sipas rektorit të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli, kandidatët mund të aplikojnë prej 9 deri më 12 shtator 2025, ndërsa rezultatet preliminare do të shpallen më 15 shtator. 
 
“Në Universitetin e Tetovës aktualisht është duke u realizuar afati i dytë i pranimit të dokumentacionit në kuadër të 13 fakulteteve të UT-së, pra mundësi që të aplikojnë kanë në 100 programe studimore aty ku kemi vende të lira. Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit kemi mbi 15 për qind rritje të numrit të studentëve të rinj të cilët kanë aplikuar për t’i vazhduar studimet në UT.”, - deklaroi rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli.
 
Rektori Zejneli fton të gjithë maturantët dhe kandidatët e interesuar që të aplikojnë në këtë afat të dytë dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të studiuar në njërin prej programeve të shumta që ofron universiteti.
 
“Ne i lusim të gjithë ato të rinj, të cilët ende nuk kanë aplikuar, apo nuk janë regjistruar në ndonjërin nga programet studimore, të urdhërojnë në UT, që të aplikojnë gjatë ditës së sotme dhe ditën e nesërme dhe bazuar në një organizim të mirëfilltë, infrastrukturën e përgatitur mirë, stafin akademik, veprimtarinë botuese dhe bashkëpunim që kemi me Universitetet e tjera, por edhe mundësinë e qëndrimit të studentëve që vinë nga jashtë në konviktet tona, besoj se ato do të arrijnë të marrin njohuritë më të mira, dhe me përfundimin e studimeve do të jenë profesionistë dhe të inkuadrohen sa më lehtë në tregun e punës.”, - theksoi rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli.
 
Nga UT-ja njoftojnë se në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, përkatësisht në programet studimore Mjekësi e Përgjithshme dhe Fizioterapi, nuk ka vende të lira, pasi numri u plotësua që në afatin e parë. Megjithatë, Universiteti i Tetovës ofron programe studimore në të gjitha fushat e shkencës dhe artit, duke krijuar kushte për zhvillim akademik e profesional të studentëve. 
 
FITIM KRYEZIU