Deponitë “Drislla” dhe “Vardarishte”, Mickoski: Po punohet për zgjidhje afatgjate
10.09.2025 17:52
Prej më shumë se dhjetë vitesh...

Prej më shumë se dhjetë vitesh janë siguruar fondet për ndërtimin e tri deponive moderne që, përveç selektimit të mbeturinave, do të prodhonin edhe energji elektrike.
Këto deponi ishin parashikuar të ndërtohen në afërsi të Shën Nikollës, Novacit dhe Gostivarit.
Megjithatë, disa organizata joqeveritare dhe figura politike kundërshtojnë këto projekte, duke pyetur: “Pse pikërisht këtu të hidhen mbeturinat?” dhe organizojnë protesta.
Kryeministri Mickoski, duke folur për problemin e djegieve të deponive, thekson se nuk ka zgjidhje të përkohshme për ndalimin e ndezjes së metanit, që mund të shpërthejë edhe nga një shkëndijë e vetme zjarri. Ai njoftoi se po punohet për zgjidhjen e problemit me deponinë “Drislla”.
"Kur të marrim kompetencat, do ta rregullojmë deponinë “Drislla”, do ta kompletojmë dhe do t’i ngjajë një deponie moderne me standarde evropiane, me një fabrikë që do të përpunojë mbeturinat, do t’i magazinojë dhe do t’i riciklojë. Kur kjo të realizohet, do të jetë një partneritet i sinqertë publik. Ju tregoj që tani, procesi do të jetë përmes një tenderi publik me kritere të qarta. Megjithatë, përsëri do të ketë njerëz jashtë qeverisë që do të jenë kundër.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë që Mickoski ngre pyetjen se kujt i shkon për shtat që para zgjedhjeve të digjen deponitë dhe qytetarët të mbyten në tym dhe erë të keqe, kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski, akuzon Qytetin e Shkupit se nuk po e kryen detyrën dhe paralajmëron se komuna do të ndërmarrë vetë masa për deponinë e Vardarishtës.
"Që nga dje, në vend është shpallur gjendje e jashtëzakonshme lidhur me zjarret. Ne jemi koordinuar tashmë me disa institucione dhe rezultatet do t'i shihni në ditët në vijim.”, - theksoi kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski.
Shukova: VMRO – DPMNE nuk dëshiron ta zgjidhë problemin
Për partinë opozitare LSDM, deponitë “Vardarishte” dhe “Drislla” janë simbol i kaosit në menaxhimin e mbeturinave, një kaos që, sipas tyre, VMRO-DPMNE nuk di, nuk mundet ose nuk dëshiron ta zgjidhë.
"Rrethim urgjent dhe mbrojtje e zonës së Vardarishtes, me qasje të kontrolluar vetëm për shërbimet e higjienës komunale. Vendosja e sigurimit fizik 24-orësh për parandalimin e zjarreve dhe vandalizmit. Në afat mesëm dhe të gjatë: ndërtimi i një stacioni të ri për transferimin e mbeturinave sipas standardeve evropiane, si pjesë e sistemit për menaxhim të plotë të mbeturinave – nga mbledhja, përmes selektimit, deri te deponimi përfundimtar në deponinë “Drislla."- u shpreh Kaja Shukova nga LSDM.
Megjithatë, si pushteti ashtu edhe opozita bien dakord për një gjë: zgjidhja afatgjate kërkon siguri, dekontaminim dhe ndërtimin e një sistemi modern të menaxhimit të mbeturinave. (Farije Bakiu - Dauti, TVM2)
