Kosova U21 pëson humbjen e parë në kualifikimet për Euro 2027

10.09.2025 20:09

Përfaqësuesja U21 e Kosovës...

Përfaqësuesja U21 e Kosovës ka pësuar humbjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027. Të martën mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Dardanët e rinj u mposhtën nga Spanja me rezultat 1:3, në një ndeshje ku dhanë një paraqitje dinjitoze përballë një prej superfuqive të futbollit evropian.

Spanja kaloi në epërsi që në minutën e 11-të përmes Joel Casals, por Kosova reagoi shpejt. Në minutën e 22-të, Arianit Hasani barazoi shifrat me një gol të bukur nga distanca, duke ndezur entuziazmin në tribuna.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1, me Kosovën që tregoi lojë të organizuar dhe disiplinë taktike.

Në pjesën e dytë, megjithëse Kosova pati disa raste të mira, efikasiteti mungoi. Spanja riktheu epërsinë në minutën e 70-të me golin e Iker Bravo, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Nino në minutën e 95-të.

Pavarësisht rezultatit, Kosova U21 dëshmoi potencial dhe guxim përballë një kundërshtari të nivelit të lartë, duke lënë përshtypje pozitive për vazhdimin e garës.

Kjo ndeshje erdhi pas barazimit pa gola në udhëtim ndaj Rumanisë, ndërsa Spanja kishte mposhtur më herët Qipron me rezultat 3:0.

Kosova U21 do të kërkojë fitoren e parë në këto kualifikime më 14 tetor, kur do të përballet me San Marinon, sërish në stadiumin “Fadil Vokrri”. Po atë ditë, Spanja pret Finlandën. (Mustafa Ademi, TVM2)