Maqedoni
Situata e sigurisë para zgjedhjeve, Kasami: Indikacione për destabizilim të Tetovës
11.09.2025 14:09
Situata parazgjedhore, e brishtë...

Ekzistojnë indikacione se në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në pjesën shqiptare, me theks të veçantë në Tetovë ka tendenca për të shpërthyer tensione ndëretnike.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, i konfirmon informacionet dhe thotë se indikacionet e fundit flasin se në shënjestër ka qenë djegia e xhamisë në Kodrën e Diellit nga grupe të organizuar. Prapavija e tensioneve, sipas tij, është politike se shqiptarët janë të pasigurt dhe të pambrojtur.
“Ne flasim për faktorë të brendshëm, të cilët në momente të caktuara shfrytëzojnë element nga jashtë për të krijuar incidente, sepse elementi nga brenda nuk merr këtë rrezik, duke ditur që Maqedonia ka një territor kufitar jo të kontrolluar të tërin, ku ka mundësi njerëzit të lëvizin edhe jashtë pikave legale të kalimit të qytetarëve. Më e mundur është që këto incidente të jenë të stimuluara, organizuara nga brenda por me element të njerëzve, të cilët mund të vijnë edhe nga jashtë.”, - deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.
BDI dhe ASh reagojnë për destabizilimin
Me pretendime të njëjta për indikacione për destabilizim doli edhe Adnan Azizi, kryetar i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, duke drejtuar gishtin kah BDI-ja. Kanë reaguar integristët duke thënë se Azizi ka filluar një fushatë të errët dhe të rrezikshme, jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për marrëdhëniet ndëretnike, stabilitetin dhe sigurinë në vend.
“Në paaftësi për të menaxhuar situatën dhe për t’i mbrojtur shqiptarët, Adnan Azizi vendosi të dalë në mbrojtje të huliganëve maqedonas që dhunuan fëmijët shqiptarë duke shpikur akuza ndaj shqiptarëve. Duke mos i mjaftuar kjo, Adnan Azizi dhe VLEN-i dalin edhe me teori ogurzeza, duke paralajmëruar djegie të xhamisë në Kodrën e Diellit dhe duke krijuar përsëri alibi për huliganët që të bëjnë një vepër të tillë e duke ua hedhur paraprakisht fajin shqiptarëve si “fajtorë kujdestar”, siç po bëjnë që nga formimi i kësaj qeverie.”, thonë nga BDI.
Ndërkohë nga ASh-ja krahu i Zijadin Selës kanë ftuar Prokurorinë të zbardhë deklaratat e Adnan Azizit dhe të hetohet për nxitje të tensioneve ndërfetare.
“Meqë tha "kemi informacione të sakta" se do të digjet xhamia në Kodrën e Diellit, ftojmë deputetin Adnan Azizi që këto informacione t'i publikojë ose t’i deponojë në organet e rendit dhe në Prokurori. Nëse ai nuk e bën këtë për çfarëdo qoftë arsye, atëherë Prokuroria Publike duhet të ndjekë deputetin Azizi për nxitje të urrejtjes dhe dhunës në baza fetare, skenare të rrezikshme për vendin dhe sigurinë e qytetarëve. Aktet e tilla paraqesin terrorizëm dhe cenim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, andaj duhet të vërtetohen.”, thuhet në reagimin e ASh-së së Selës.
Tetova para një jave ka qenë dëshmitare e dhunës së ushtruar, ku dy nxënës shqiptarë u sulmuan nga një grup maqedonasish. Policia identifikoi dhe arrestoi të dyshuarit.
MERAL ISMAILI
