Maqedoni
“Drislla” dhe “Vardarishtja”, VMRO-DPMNE dhe LSDM akuzojnë njëra-tjetrën
11.09.2025 15:17
Deponitë “Drislla” dhe “Vardarishte” kanë përplasur...

Deponitë “Drislla” dhe “Vardarishte” kanë përplasur VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në. Kryeministri Hristijan Mickoski, djegiet e këtyre deponive gjatë kësaj periudhe i konsideron si të qëllimshme, për të shkaktuar reagime në opinion publik në prag të zgjedhjeve lokale.
“Kur të marrim ingerencat, do ta rregullojmë “Drisllën”. Do ta paketojmë dhe do të duket si një deponi moderne evropiane, me fabrikë që do të prodhojë energji, do t’i mbledhë, riciklojë dhe deponojë mbeturinat. Dhe prej tani po ju them, ajo do të jetë partneritet publik, me tender transparent dhe kritere të qarta. Që tani po ju paralajmëroj se disa organizata joqeveritare do të jenë kundër.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, LSDM akuzon pushtetin lokal të udhëhequr nga VMRO-DPMNE se nuk ka arritur të gjejë zgjidhje për këtë problem të qytetarëve të Shkupit, duke theksuar se ata kanë plan konkret për menaxhimin e situatës.
“Rrethim urgjent dhe mbrojtje të hapësirës së “Vardarishtes” me qasje të kontrolluar vetëm për ekipet e Higjienës Komunale. Vendosje të sigurimit fizik 24 orësh për të parandaluar zjarret dhe vandalizmin. Në afat të mesëm dhe të gjatë, ndërtimin e stacionit të transferimit sipas standardeve evropiane, si pjesë e sistemit të plotë për menaxhimin e mbeturinave – nga grumbullimi e selektimi deri në deponimin final në “Drislla”.”, - theksoi Kaja Shukova nga LSDM.
Përplasjet politike për këtë çështje po ashpërsohen, edhe për faktin se vendi ndodhet në periudhën parazgjedhore.
BELINDA KOKA ADEMI
