Zjarri në deponinë “Drislla” është ende aktiv, DMSh: Shiu nuk e shuan zjarrin nëpër deponi
Zjarri në deponinë “Drislla” edhe më tej është aktiv....

Zjarri në deponinë “Drislla” edhe më tej është aktiv. Re të madha tymi përhapen edhe më tej nëpër Shkup. Për tre ditë me radhë, erë gome e djegur ndihet kudo, ndërkohë që përpjekjet për shuarjen e zjarrit vazhdojnë. Ndërsa në deponinë e egër “Vardarishte” nuk ka as djegie, as tym, dhe tashmë është siguruar nga një agjenci private sigurie, deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angellov.
Ai tha se ka vizituar të dyja deponitë për të parë nga afër gjendjen, duke shtuar se Qeveria do ta shqyrtojë propozimin për të shpallur ndalim lëvizjeje në zonën e “Vardarishtes”.
Deponitë nuk mund të shuhen lehtë me ujë, sepse thellë brenda ndodhin procese kimiko-biologjike, që krijojnë gazra të ndezshëm, por zjarri mbulohet me dhe ose shkumë.
“Në ‘Drislla’ ende ka shumë tym, por era po fryn në drejtim të kundërt nga Shkupi, kështu që në qytet nuk ndihet shumë. Në terren ka makineri të rëndë që po mbulon me dhe zonën kritike, aty ku digjet. Nuk shihet flakë, vetëm tym i dendur. Shuarja është e vështirë, sepse për të arritur tek vendi ku ka zjarr, duhet kaluar përmes ujërave të ndotura të thella 1.5 metra.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Angellovi shprehu dyshime se zjarret në të dyja deponitë janë të qëllimshme dhe njoftoi se tre persona janë në paraburgim.
“Shpallëm sërish gjendje krize për shkak të zjarreve, që të mund të veprojmë për shuarjen. Kemi indikacione se nuk janë vetëdjegie. Është e dyshimtë që zjarret shpërthejnë në të dyja deponitë njëkohësisht, tani kur temperaturat janë më të ulëta, ndërkohë që në korrik dhe gusht, kur ishte shumë më nxehtë, nuk pati zjarr.”, - theksoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Angellovi theksoi se pas zgjedhjeve, kryetari i ri i Shkupit, me ndihmën e Qeverisë, duhet të fillojë një zgjidhje serioze për këto dy pika të nxehta ekologjike. Problemet me deponitë shpeshherë kanë shkaktuar protesta nga ana e banorëve që jetojnë rreth tyre. Sot, megjithatë, revoltat qytetare janë përhapur në të gjithë Shkupin, duke nxitur protesta masive.
“Mendoj se ky është problem në të gjithë qytetin, sepse ajri nuk njeh kufij dhe lagje. Flas nga aspekti prindëror si prindër jashtëzakonisht i shqetësuar, sepse jetojmë ditët më të vështira të ndotjes enorme të ajrit.”, - tha një protestues.
“Kjo ndotje tashmë na helmon. Kjo nuk përballohet, çdo mëngjes kur zgjohemi, zgjohemi me dhimbje koke dhe dritaret i mbajmë të mbyllura.”, - tha një protestues tjetër.
“Nuk na duhen organizatat, nuk na duhen politikanët, as të gjelbër, as të zi, as të verdhë. Ata duhet të interesohen, është e drejtë themelore sipas Kushtetutës, që secili ka të drejtë për mjedis të pastër dhe kuptohet këtu hyn edhe ajri i pastër.”, - tha një protestues tjetër.
Deponia “Drislla” gati çdo vit digjet. Ditë më parë, kryeministri Mickoski tha se nuk ka zgjidhje të përkohshme për ndalimin e ndezjes së metanit, që mund të shpërthejë edhe nga një shkëndijë e vetme zjarri nëpër deponitë. Ai njoftoi se po punohet për zgjidhjen e problemit me deponinë “Drislla”. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)
