Këshilli Gjyqësor nuk do të veprojë gjatë zgjedhjeve, Kambovski: Nevojitet pushtet gjyqësor i pavarur

11.09.2025 16:07

Me 7 vota “pro” dhe 4 “kundër”...

Me 7 vota “pro” dhe 4 “kundër”, Këshilli Gjyqësor miratoi vendimin për të pezulluar veprimet brenda kompetencës së tij derisa të përfundojë procesi zgjedhor.

Anëtarët theksuan se duhet të veprojnë brenda kompetencave për çështje të punësimit, avancimit dhe përgjegjësisë disiplinore, duke treguar pavarësi nga ekzekutivi dhe legjislativi.

Kufizimet përcaktohen nga neni 8a i Kodit Zgjedhor. Tanja Çaçarova Ilievska dhe Antoaneta Dimovska kërkuan veprim më aktiv të Këshillit, duke tejkaluar qasjen pasive dhe status quo-në që përsëritet çdo zgjedhje.

“Pse kur zgjidhen gjyqtarë nuk ndalet puna e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ? Është e njëjta gjë, nuk ka ndërhyrje. Puna jonë është e tillë, marrim vendime të përgjegjshme dhe duhet të veprojmë sipas Kushtetutës dhe ligjit.”, ka deklaruar anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska.

Ndërsa, Vesna Dameva paralajmëroi se pezullimi i procedurave mund ta vë në pikëpyetje pavarësinë e gjyqësorit. Ajo theksoi se Kushtetuta garanton autonominë e pushtetit gjyqësor dhe se “nuk mund të zhbëhet një dispozitë kushtetuese me ligj”. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, edhe pse u pajtua me një pjesë të këtyre argumenteve, theksoi se duhet pasur parasysh konteksti politik dhe ndjeshmëria zgjedhore.

“Ne si gjyqtarë jetojmë në këtë shtet dhe nuk mund të funksionojmë në një flluskë të izoluar. Demokracia dhe kultura politike tek ne ende nuk janë në atë nivel që të mos ketë pasoja nga puna jonë gjatë periudhës zgjedhore.”, ka deklaruar kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.

Ai kujtoi se tashmë më shumë se një dekadë Këshilli Gjyqësor praktikon të ngrijë procedurat gjatë zgjedhjeve dhe shtoi se ndryshimet mund të shqyrtohen vetëm kur shoqëria dhe politikanët të jenë të përgatitur për këtë.

Me këtë vendim, Këshilli Gjyqësor edhe kësaj here do ta pezullojë punën e tij gjatë fushatës zgjedhore dhe deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale, megjithëse një pjesë e anëtarëve kërkuan një qasje ndryshe për forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit. (Armend Murseli, TVM2)