Mexhiti u takua me ambasadoren Ageler, bashkëpunim për Liqenin e Ohrit

11.09.2025 16:31

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti...

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, u takua me ambasadoren e ShBA-së në Maqedoninë e Veriut, znj. Angela Ageler.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin teknik dhe shkencor për ruajtjen e Liqenit të Ohrit, një pasuri natyrore dhe kulturore ndërkufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Qëllimi i bashkëpunimit është përmirësimi i cilësisë së ujit, menaxhimi i peshkimit dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm liqenor.

Gjatë vitit 2024, dy ekspertë amerikanë zhvilluan vizita në terren dhe takime dyjavore në rajonin e Ohrit, për të vlerësuar gjendjen aktuale. Raporti për vizitën përmban disa rekomandime konkrete, ndër të cilat: forcimi i kapaciteteve të Institutit Hidrobiologjik përmes modernizimit dhe mbështetjes për stafin shkencor, krijimin e një programi kombëtar afatgjatë për monitorimin limnologjik dhe fondin peshkor, zhvillimin e një plani të përbashkët ndërkufitar për menaxhimin e inkubatorëve dhe mbrojtjen e troftës së Ohrit, krijimin e mekanizmave për zbulimin e hershëm të specieve invazive; si dhe zhvillimin e një programi kërkimor për turizmin e qëndrueshëm dhe përforcimi i rolit të organizatave joqeveritare.

“Mexhiti dhe Ageler u dakorduan se ruajtja e Liqenit të Ohrit është një prioritet kombëtar dhe ndërkufitar, ndërsa bashkëpunimi me ShBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë do të sjellë ekspertizën e nevojshme për ta mbrojtur këtë trashëgimi unike natyrore dhe kulturore,” - thuhet në njoftim.