Afera e përgjimeve, Komisioni Kuvendor viziton Agjencinë për Zbulim
Pas vizitës në Agjencisë për Siguri Kombëtare...

Pas vizitës në Agjencisë për Siguri Kombëtare, anëtarët e Komisionit Kuvendor për Mbikëqyrje të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim e të cilët kanë certifikatë për sekretë zyrtarë, kanë vazhduar vizitën në Agjencinë për Zbulim.
Deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, pret të kuptojë se nëse Agjencia për Zbulim ka informata se nëse në vend po përgjohet në mënyrë joligjore dhe nëse në territorin e Maqedonisë operojnë shërbime të huaja.
Gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka marrë përgjigjet e nevojshme për shkak se i gjithë dokumentacioni që i ka institucioni janë dorëzuar në Prokurori dhe se procedura parahetimore është e fshehtë.
“Nga njëra anë e kemi Ligjin për Procedurë Penale, i cili thotë se të gjitha aktivitetet që i ndërmerr Prokuroria Publike janë të fshehta dhe këtë unë e respektoj. Nga ana tjetër e kemi Ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare, ku Komisioni për Mbikëqyrje ka të drejtë, në këto raste do të thoja obligim të kryejë mbikëqyrje dhe t’i parashtrojë pyetjet. Nëse ne nuk kemi qasje në dokumentet të cilat kanë treguar se ndoshta fshehin ndonjë vepër penale, mbetet të besojmë njëri-tjetrin. Mendoj se nuk është çështja të besojmë apo jo, por kemi obligim të kontrollojmë nëse ajo që po flitet është e vërtetë apo jo.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Kur bëhet fjalë për aferën e përgjimeve, partitë politike zëshëm çdo ditë adresojnë kritika dhe kërkesa për përgjegjësi.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se lideri i tyre partiak në kohën kur kanë qenë në opozitë, pesë vite është ndjekur. Sipas tyre, e gjithë kjo është bërë me vetëdije nga LSDM-ja, ndërsa për qëllim kanë pasur shkatërrimin e partisë duke krijuar raporte të rrejshme.
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që Prokuroria ta hetojë rastin.
“Prokuria Publike duhet të fillojë të punojë se kush i ka dhënë udhëzime Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim të përgjojnë kryetarin Mickoski. Hetimi duhet të jetë gjithëpërfshirës. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të mos vëzhgojë nga anash dhe të presë se çfarë do të ndodhë më pas, por duhet në mënyrë aktive të përfshihet në zbardhjen e rastit me përgjimet dhe ndjekjen e VMRO-DPMNE-së, gazetarë dhe biznesmenë. Për pesë vite janë rrezikuar të drejtat e njeriut të dhjetëra funksionarëve të VMRO-DPMNE-së në krye me kryetarin Mickoski, biznesmenë dhe gazetarë.”, - theksoi Valentin Manasiev nga VMRO-DPMNE.
Vizitat e anëtarëve të Komisionit po realizohen, pasi në opinion doli informacioni se ASK-ja, në periudhën 2019–2024, e ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, atëherë lider opozitar, gazetar dhe biznesmen.
Në Prokurori është hapur lëndë me aferën e përgjimeve.
Sipas njoftimeve të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ekip i prokurorëve ka vizituar Agjencinë për Siguri Nacionale, por duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion të ndjeshëm dhe voluminoz, kontrolli do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
Nga LSDM kërkojnë deklasifikim të dokumenteve, ndërsa nga VMRO-DPMNE, përgjegjësi. (Florije Kamberi, TVM2)
