Afera e përgjimeve, Komisioni Kuvendor viziton Agjencinë për Zbulim

11.09.2025 18:50

Gjashtë deputetët anëtarë të Komisionit Kuvendor...

Gjashtë deputetët anëtarë të Komisionit Kuvendor për Mbikëqyrje të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim nuk patën mundësinë të kenë qasje në materialet, të cilat mund të kenë lidhshmëri me përgjimet eventuale, pranë Agjencisë për Zbulim.

Kjo me arsyetimin se dokumentet i janë dorëzuar Prokurorisë Publike. Ata vetëm janë njoftuar për rastin dhe materialet. Gjendja e sigurisë në vend, sipas informacioneve nga Agjencia për Zbulim është stabile.

“Mund të konstatojmë se Prokuroria edhe këtu ka kryer kontroll të caktuar dhe gjithçka që ka lidhje me rastin që po e brengos publikun nuk mundemi që më shumë të bisedojmë. Ajo që është me rëndësi është që institucioni i quajtur Prokurori Publike të RMV-së të jetë më e shpejtë dhe e përditësuar, pasi që interesi i opinionit për këtë çështje është i madh.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov.

“Sipas informatave me të cilat disponon Agjencia për Zbulim dhe bashkëpunimin që ka me shërbimet tjera, siguria e shtetit për momentin është stabile, por për fat të keq ajo që është lëndë interesi edhe për ne si deputetë, mediat dhe qytetarët, nuk do të mund të ndajmë më shumë informacione.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.

Vizitat e anëtarëve të Komisionit po realizohen, pasi në opinion doli informacioni se ASK-ja, në periudhën 2019–2024, e ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, atëherë lider opozitar, gazetar dhe biznesmen. Në Prokurori është hapur lëndë me aferën e përgjimeve.

Sipas njoftimeve të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ekipi i prokurorëve ka vizituar Agjencinë për Siguri Nacionale, por duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion të ndjeshëm dhe voluminoz, kontrolli do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Nga LSDM kërkojnë deklasifikim të dokumenteve, ndërsa nga VMRO-DPMNE, përgjegjësi. (Florije Kamberi, TVM2)