Maqedoni
Përfundoi këqyrja në Listën e Zgjedhësve, OJQ “Civil” përgatitet për vëzhgimin zgjedhor
12.09.2025 14:10
Gjithsej 20.005 qytetarë i kanë kontrolluar të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore...

Gjithsej 20.005 qytetarë i kanë kontrolluar të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore përmes ueb-faqes së KShZ-së dhe 6.787 qytetarë të tjerë këtë gjë e kanë bërë përmes zyrave rajonale të KShZ-së.
Në mesnatë skadoi afati për shqyrtimin publik të të dhënave të qytetarëve, ku mundej deri atëherë të ndryshoheshin të dhënat e tyre, në rast se më herët kishin ndryshuar mbiemrin apo adresën e banimit të tyre.
Në bazë të inspektimeve të bëra, tani KShZ-ja bën azhurimin dhe përditësimin e të dhënave të atyre qytetarëve, të cilit kishin bërë kërkesat e tyre brenda afatit dhe shumë shpejtë ata të gjithë do të jenë në Listën e azhuruar Zgjedhore.
“Numri i përgjithshëm i qytetarëve të cilët i kanë kontrolluar të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore është 6.787. Prej tyre 199 persona kërkuan fshirje – nga të cilët 197 për shkak të vdekjes dhe dy persona për shkak të largimit nga shteti. Gjithsej 151 persona kërkuan ndryshime në të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore, më shpesh për shkak të ndryshimit të mbiemrit ose ndryshimit të adresës së banimit. Kjo shifër i referohet inspektimeve publike, të cilën qytetarët e kanë bërë nëpër zyrat rajonale të KShZ-së.”, thuhet në komunikatën e lëshuar të KShZ-së.
Të shtunën, më 13 shtator, do të përfundojë afati për dorëzimin dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për të gjithë kandidatët e mundshëm. Dy ditë më vonë, respektivisht më 15 shtator, KShZ-ja do të bëjë verifikimin e të gjithë kandidatëve për kryetarë të komunave dhe listat për këshilltarë komunalë, të cilët do të garojnë zyrtarisht në zgjedhjet e teta lokale në tetor.
Në vijim e sipër, në KShZ po ashtu është edhe paraqitja për vëzhgimin dhe raportin e zgjedhjeve dhe ekipimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore. Për vëzhgim zgjedhor përgatitet edhe Organizata Joqeveritare “Civil”, ku parashihen rreth 60 vëzhgues të monitorojnë zgjedhjet lokale këtë vit.
“Në vijim e sipër është thirrja jonë publike për vëzhgues të zgjedhjeve lokale këtë vit, ku rreth 60 vëzhgues do të akreditohen nga OJQ “Civil” për të vëzhguar procesin e votimit në rrethin e parë dhe të dytë. Të gjithë ata do të jenë vëzhgues mobil, respektivisht nuk do të jenë statike vetëm në një vendvotim, por do të jenë mobile duke vëzhguar dhe mbikëqyrur votimet në më shumë vendvotime, ku parashikohet të mbulohet mbi 12 për qind e numrit të përgjithshëm të vendvotimeve në vend. Kjo është përqindje e mjaftueshme e mbulimit për të nxjerrë konkluzione relevante për atë se çfarë po ndodh gjatë procesit të votimit. Në fund të procesit zgjedhor, ne do t’i sublimojmë gjetjet tona dhe do të përpilojmë analizë të mirëfilltë ku do të përfshihen edhe rekomandimet tona në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.”, - deklaroi Xhabir Derala nga OJQ “CIVIL”.
Deri më tani janë akredituar 14 vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, ku ata po ndjekin punën e KShZ-së dhe të komisioneve komunale zgjedhore. Rrethi i parë i votimit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor.
Në këto dy rrethe zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin 80 kryetarë të komunave dhe po aq këshilltarë komunalë dhe njëherësh do të zgjedhin edhe kryetarin e Qytetit të Shkupit.
REXHEP QAMILI
