Botë
Pas hyrjes së dronëve rusë në Poloni fillojnë manovrat ushtarake në kufirin e NATO-s
12.09.2025 14:29
Rusia dhe Bejllorusia kanë filluar manovrat ushtarake...

Rusia dhe Bejllorusia kanë filluar manovrat ushtarake përgjatë kufirit të NATO-s. Ushtrimet e quajtura “Perëndimi 2025” po zhvillohen në kohë tensionesh, për shkak të hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake. Varshava ka dërguar çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Nga ana tjetër, aeroplanmbajtësja e marinës amerikane, Gerald Ford, mbërriti në Oslo për stërvitje detare me disa njësi të forcave të armatosura. Moska dhe Minsku pohojnë se ushtrimet janë planifikuar më parë dhe nuk drejtohen kundër askujt.
Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë. Autoritetet thonë se këto masa janë marrë për shkak të ushtrimeve ushtarake.
“Po e bëjmë këtë për sigurinë e qytetarëve tanë. Rusia ka pasur sjellje agresive ndaj Polonisë në ditët e fundit dhe për vite me radhë ka qenë agresive ndaj botës së qytetëruar. Për të siguruar sigurinë e qytetarëve tanë, jemi të detyruar të marrim këto vendime.”, - deklaroi ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierëinski.
Liderët evropianë të shqetësuar, mbledhje urgjente në Këshillin e Sigurimit - OKB
Pasi dronët rusë u futën në hapësirën ajrore polake, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt mbledhje urgjente. Në Evropë është thelluar frika që lufta prej tre vitesh në Ukrainë mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë.
“Incidentet në Poloni mund të na çojnë në dyshime të mëdha se Rusia nuk është serioze në lidhje me hyrjen në bisedime.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme –Austri, Beate Najnl-Rajzinger.
“NATO-ja duhet patjetër të forcojë kapacitetet mbrojtëse globale dhe unitetin, veçanërisht në pjesën lindore. Çekia padyshim qëndron plotësisht pas aleatëve polakë.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Çeki Jan Lipavski.
Derisa Evropa dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar si provokim të qëllimshëm dhe një eskalim serioz, presidenti amerikan Donald Tramp mendon se hyrja e dronëve mund të ketë qenë një “gabim”.
“Mund të ketë qenë një gabim. Por, pavarësisht nga kjo, nuk jam i kënaqur me gjithë këtë situatë dhe shpresoj që të përfundojë sa më shpejt.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Në frontet luftarake në Ukrainë vazhdojnë sulmet. Në Kiev, Zelenski është takuar me përfaqësuesin special të presidentit amerikan, Kellog. Në fokus ishte financimi i prodhimit dhe blerjes së sistemeve “Patriot” dhe rritja e presionit ndaj Rusisë përmes politikave të tarifave dhe sanksioneve.
FARIJE DAUTI BAKIU
