Maqedoni
Afera e përgjimeve, LSDM e VMRO kërkojnë fajtorin mes tyre
12.09.2025 14:48
LSDM dhe VMRO-DPMNE edhe më tej vazhdojnë përplasjen...

LSDM dhe VMRO-DPMNE edhe më tej vazhdojnë përplasjen lidhur me aferën e përgjimeve në Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe Agjencinë për Zbulim, ku dyshohet se në periudhën 2019–2024 është përgjuar kryeministri Hristijan Mickoski, atëherë lider opozitar, gazetar dhe biznesmen.
Lideri i opozitës maqedonase LSDM, Venko Filipçe, edhe më tej kërkon deklasifikimin e dokumenteve të përgjimit, që sipas tij, duhet të zbulojnë nëse është shkelur ligji dhe janë tejkaluar autorizimet. Pamundësinë e deputetëve për mbikëqyrje mbi punën dhe dokumentacionin e të dy agjencive e vlerëson joadekuate.
“Duke pasur parasysh të kaluarën se si është keqpërdorur shërbimi dhe përgjimet, vlerësoj se është në interes të madh për publikun kjo aferë në mënyrë të saktë dhe në detaje të sqarohet. Sipas nenit 21 nga Ligji për ndjekjen e komunikimeve, secili material që vlerësohet se është keqpërdorur apo ka krim, praktikisht nuk mund të jetë i klasifikuar. Prandaj, dua t’ju pyes pse nuk lejoni deklasifikim të të gjithë atyre materialeve, kuptohet me mbrojtjen e identitetit të të gjithë personave që duhet të mbrohen që publiku përfundimisht të dijë nëse ka pasur keqpërdorim apo jo, nëse dikush e ka shkelur Ligjin apo jo, nëse dikush duhet të përgjigjet apo jo.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kryeministri Mickoski u shpreh se për këtë rast publiku së shpejti do ta njohë të vërtetën, ndërsa pret nga prokurorja të kryejë punën e saj. Sipas tij, çështja e përgjimeve ka ndodhur në kontinuitet vite më parë në të dyja shërbimet ku ka pasur njerëz që janë marrë me opozitën.
Sa i përket kërkesave të opozitës për deklasifikimin e dokumenteve, Mickoski tha se nuk është kompetent të vendosë nëse të deklasifikohen apo jo.
“Me kalimin e kohës, do të shihni, nëse Prokuroria e kryen punën ashtu siç duhet. Do të shihni se kush dhe si është ndjekur në të dyja shërbimet, kush i shkroi ato letra deri te mediat, pse i kanë shkruar dhe cilat janë motivet. Unë nuk jam ai që lejon të klasifikohet apo jo zotëri Filipçe. Ka institucione të tjera që atë e bëjnë, jo unë. Unë vetëm e komentoj atë që po thuhet në publik dhe është normale që si kryetar i Qeverisë të marr raporte nga ana e këtyre institucioneve për siguri dhe është normale të di se çfarë shkruan brenda.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Për aferën e përgjimeve, Prokuroria Publike tani më ka hapur lëndë. Sipas njoftimeve të Prokurorisë Publike, ekip i prokurorëve ka vizituar Agjencinë për Siguri Nacionale, por duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion të ndjeshëm dhe voluminoz, kontrolli do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
FLORIJE KAMBERI
