Maqedoni
Deponia “Drislla”, rikthehet zjarri, ndërmarrja shfajëson veten
12.09.2025 15:07
Zjarri në deponinë “Drislla” është ringjallur...

Zjarri në deponinë “Drislla” është ringjallur në orët e natës. Në ditën e tretë të ndotjes së ajrit që erdhi nga kjo deponi, autoritet e ndërmarrjes shfajësojnë veten nga dëmi ekologjik i shkaktuar, duke thënë se punojnë sipas rregullave.
Nga “Drislla” thonë se zjarri është shkaktuar qëllimshëm dhe kërkojnë nga Ministria e Brendshme të ndërhyjë në zbardhjen e rastit.
"Drislla është e vetmja deponi sanitare e licencuar, e cila që nga viti 2022, nuk djeg mbeturina, por i sterilizon dhe i kompreson ato me autoklavë, duke eliminuar çdo mundësi ndotjeje. Ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme që të fillojë një hetim për të gjetur dhe sanksionuar zjarrvënësit, të cilët dyshojmë se janë të motivuar politikisht për të larguar vëmendjen nga problemet reale. Deponia “Drislla”, pa incidente të tilla të qëllimshme, nuk ka potencial për ndotje dhe funksionon sipas standardeve më të larta.”, thonë nga NP Deponia “Drislla”.
Mickoski: Do të hetojmë rastin
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar ndërhyrjen e policisë për të zbardhur dyshimet e rikthimit të zjarrit. Të gjithë fajtorët do të dalin para drejtësisë, thotë Mickoski.
“Ministria e Brendshme do të merret me këtë çështje. Jemi në komunikim me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe pres që ky problem sot apo nesër të sanohet. Një problem që nuk u zgjidh me dekada, ne do ta sanojmë për një javë. Bashkëndjejë me qytetarët, por është për çudi se si ndodhin gjëra të tilla në disa ndërmarrje publike me kuadro të BDI-së. Edhe këtë do ta hetojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: Planifikojmë masa radikale
Ministri i Ambientit, Izet Mexhiti, ka dërguar inspektorë për të konstatuar gjendjen, pasi thotë se Qyteti i Shkupit edhe pse përgjegjëse për “Drisllën”, po sillet e papërgjegjshme në menaxhim.
“Higjiena edhe në këtë rrugë nëse e shohim është katastrofale, për shkak të udhëheqjes së keqe të qytetit të Shkupit. E njëjta është edhe me “Drisllën”, që po rrezikon edhe jetën e njerëzve. Këto ditë kemi dërguar edhe Inspektoratin e Ambientit Jetësor. Do ta konstatojmë gjendjen, do të japim masa që duhet të merren, e nëse nuk merren atëherë do të shkojmë me masa më radikale.”, - theksoi ministri i Ambientit, Izet Mexhiti.
Shukova: Të formohet shtab ekspertësh
Opozita maqedonase kërkon formimin e shtabit profesional.
“Shuarja e zjarrit në deponinë “Drislla” me ujë nuk jep rezultate. Deponia edhe më tej po nxjerr tym, ndërkaq ajri është i ndotur në një shkallë ku në të gjithë qytetin nuk mund të merret frymë. Në deponinë “Drislla” duhet të veprohet me makineri të rëndë, me dhe dhe argjilë, që të pastrohet ajri dhe nevojitet trajtim i duhur i gazit. Në të kundërtën mund të ndodhë ndonjë shpërthim.”, - u shpreh Kaja Shukova nga LSDM.
Stacionet matëse mëngjesin e sotëm tregojnë koncentrim të madh të të grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Koncentrimi i tyre në ajër është për 7.9 herë më i lartë se sa niveli i lejuar në nivel vjetor.
MERAL ISMAILI
