Maqedoni
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, Hasani: Shumë sektorë pa asnjë shqiptar
12.09.2025 15:26
Derisa projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Derisa projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po pret mendimin e komisionit të Venecias, e më pas të dorëzohet në Kuvend, deputetët opozitarë janë të interesuar të dinë realitetin me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet vendore.
Në seancën parlamentare pyetje deputetësh, opozitari Iliri Hasani, duke raportuar për përfaqësim të shqiptarëve, që sipas tij është skandaloz, akuzon ekzekutivin e sidomos partnerin shqiptar qeveritar në pushtet, se nuk janë të interesuar aspak për çështjen shqiptare, dhe kjo, sipas Hasanit, del në pah me përfaqësim zero të shqiptarëve në disa institucione të administratës publike.
“A e dini se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese? Kjo që po bëni bie ndesh me Kushtetutën? Përfaqësimi i drejtë po shlyhet. Juve nuk ju intereson demokracia, parlamentarizmi, as Kushtetuta, as shteti, e mos flasim për shqiptarët, për gjuhën, për përfaqësimin e drejtë. Pyetja ime është: Deri ku ka mbërri Ligji për përfaqësim? Kësaj radhe ta bëjmë pa rrena, pa mashtrime?”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Ilir Hasani.
Fetai: Presim ligjin, korrupsioni do të marrë fund
Për zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, halli i vërtetë i BDI-së dhe pjesëve të tjera të koalicionit AKI, është droja për rezultat fatal në zgjedhje dhe jo avancimi i nëpunësve shqiptarë. Fetai mbron mendimin se në qeverisjen aktuale shqiptarët janë në gjendje shumë më të mirë se në kohën dydekadëshe të menaxhuar nga BDI-ja.
“Juve ju dhemb, sepse keni humbur privilegjet, ishit mësuar të gëzoni paga të majme në pushtet, të keqpërdorni me fondet, abuzime qindra milionëshe në çdo sektor. Shqiptarët janë shumë më mirë në qeverisjen e VLEN-it për këto 15 muaj sesa gjatë qeverisjes suaj korruptive për 22 vite me radhë. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është i finalizuar.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venecias, me ftesë të Qeverisë qëndroi në Shkup në kuadër të përgatitjeve të mendimit të tyre për projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, dokument që synon barazi të përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore dhe publike, dhe, siç pretendon Qeveria, kjo e drejtë do të mbrohet me mekanizma të fuqishme institucionale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
