Aksidentohet furgoni me punëtorë, tre persona humbën jetën, dy u lënduan rëndë
Tre persona kanë humbur jetën...

Tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ndodhi në mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 të mëngjesit në autostradën Shtip-Radovish.
Bëhet fjalë për punëtorë të huaj nga Bangladeshi, që punonin për një kompani të Strumicës. Aksidenti ndodhi pasi një kamion “Fiat Ducato” me targa të Strumicës ka ra nga ura e Lumit Baltali pranë fshatit Llakavicë të Shtipit.
“Sot (12.09.2025) në orën 08.13 në Stacionin Policor të Shtipit është raportuar se në autostradën Shtip-Radovish, tek ura mbi Lumin Baltali në afërsi të fshatit Llakavicë, Shtip, një automjet mallrash "Fiat Ducato" me targa të Strumicës, në pronësi të një personi juridik nga Strumica, i drejtuar nga M.D. (35) nga fshati Ilovica, Strumicë, ka rrëshqitur nga ura. Ekipi i ndihmës së shpejtë mjekësore ka konfirmuar vdekjen e tre personave meshkuj, ndërsa shoferi dhe një person tjetër mashkull me lëndime janë transferuar në Spitalin Klinik të Shtipit për ndihmë mjekësore. Hetimi është duke vazhduar.”, - deklaroi Goce Andrevski nga MPB.
Nga Qendra e Shëndetit Publik kanë informuar se ekipi mjekësor i Shërbimit të Mjekësisë Emergjente ka shpallur dy persona të vdekur në vend, ndërsa punëtori i tretë ka ndërruar jetë më vonë nga plagët e marra.
Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Themelor në Shtip, dy nga të ndjerit janë nga Bangladeshi dhe një nga Nepali. Ata ishin punëtorë të punësuar nga një kompani në Strumicë.
"Një prokuror publik ka kryer inspektimin e vendit të aksidentit. Prokuroria Publike e Shtipit po ndërmerr veprime për të hetuar shkaqet e aksidentit. Dëshmitarët okularë po intervistohen, ndërsa trupat e të ndjerëve janë dërguar për autopsi.”, njoftuan nga zyra e prokurorit të Shtipit.
Me urdhër të prokurorit publik do të kryhet edhe një ekzaminim mjeko-ligjor i trafikut. (Armend Murseli, TVM2)
