Maqedoni
KSHZ: Afati i fundit për kandidatura, listat dorëzohen deri në mesnatë
13.09.2025 11:17
Sot në mesnatë përfundon afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe listat këshilltare nga partitë politike....

Në mesnatë skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për kryetarë komunash dhe listave këshilltare nga partitë politike. Për Qytetin e Shkupit deri tani ka tetë kandidatura, gjashtë nga partitë politike dhe dy të pavarur.
Në Çair pritet që beteja kryesore politike të zhvillohet mes Bujar Osmanit nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Izet Mexhitit nga koalicioni VLEN. Në Koçan, pushteti dhe opozita kanë kandidatët e tyre, por gjithashtu janë paraqitur edhe dy kandidatë të pavarur.
Të gjitha partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur kanë edhe pak orë në dispozicion për të paraqitur zyrtarisht listat. Pas dorëzimit, procesi do të kalojë në fazën e verifikimit dhe vlerësimit nga institucionet përkatëse.
“Komisionet Komunale të Zgjedhjeve do të presin kandidaturat deri ora 12 të natës kur edhe mbaron ky afat. Pastaj do të vijojë shqyrtimi i kandidaturave të dorëzuara dhe konfirmimi i tyre nëse i plotësojnë të gjitha kushtet e parapara sipas Kodit Zgjedhor. Gjatë ditës së nesërme do të dihet saktë se sa kandidatura janë dorëzuar. Dhe sigurisht që këto të dhëna do të jenë publike. Por potencojmë edhe njëherë që kandidaturat e dorëzuara do të shqyrtohen nga ana e KKZ dhe në bazë të dokumentacioneve përkatëse që i kanë në shtojcë e që nevojiten sipas Kodit Zgjedhor, do të merret vendimi adekuat.”- njoftojnë nga KSHZ.
Komisionit Shtetëror Zgjedhor i janë dorëzuar gjithsej 69 kandidatura të pavarura për kryetarë komunash për 38 komuna dhe për Qytetin e Shkupit, si dhe 68 lista këshilltarësh në 33 komuna dhe për Shkupin . Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 19 tetor, dhe përfshijnë të gjitha 80 komunat dhe Qytetin e Shkupit. Pranimi i listave është hapi përfundimtar para nisjes së fushatës zyrtare, që pritet të sjellë një garë dinamike në shumë komuna të vendit. Të dhënat për numrin e kandidatëve do të publikohen një ditë më vonë, pas verifikimit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.
FARIJE DAUTI BAKIU
