Maqedoni
Tre dekada marrëdhënie diplomatike midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara
13.09.2025 13:51
RMV dhe ShBA shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në një ceremoni rasti ambasadorja Angela Ageler nënvizoi bashkëpunimin e qëndrueshëm midis dy vendeve.
“Tre dekada më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut formalizuan një partneritet të bazuar në besim dhe respekt të përbashkët për vlerat demokratike. Që atëherë, së bashku i kemi treguar botës se çfarë mund të arrihet me vullnet, kompromis dhe vendosmëri të durueshme. Dhe kemi treguar se si duken miqësia dhe bashkëpunimi. Programet dhe shkëmbimet akademike amerikane po fuqizojnë brezin e ardhshëm të sipërmarrësve dhe udhëheqësve qytetarë, ndërsa investimet amerikane në Maqedoninë e Veriut kanë sjellë vende pune, inovacion dhe mundësi”, u shpreh ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler.
Ndërkohe ministri i punëve te jashtme dhe tregtisë Timço Mucunski theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë në drejtim të procesit integrues të vendit. Ai tha se qytetarët janë të bindur që Shtetet e Bashkuara na qëndrojnë pranë në çdo moment.
“Perspektiva evropiane është një përparësi kyçe, SHBA ka ndihmuar popullin e Maqedonisë të bëhet më i fortë, më i lirë dhe më i suksesshëm”, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme,Timço Mucunski.
Në ceremoni morën pjesë presidentja Gordana Siljanovska Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, ministra, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Ushtrisë, komunitetit të biznesit dhe të komuniteteve fetare.
