Maqedoni

Kumanovë, viti i ri shkollor, sh.f.k. “Bajram Shabani” nisi me sukses mësimi

13.09.2025 14:14

Të gjitha shkollat komunale në rajonin e Kumanovës e filluan me sukses vitin të ri shkollor 2025/26...

Të gjitha shkollat komunale në rajonin e Kumanovës e filluan me sukses vitin të ri shkollor 2025/26, ndër to është edhe njëra ndër shkollat më të vjetra e më të mëdha për nga numri i nxënësve, shkolla fillore komunale “Bajram Shabani” në Kumanovë, e cila me sukses realizoi përgatitjet gjatë pushimeve verore. Siç na njoftoi drejtori, Fatmir Ebibi, në shkollë tashmë janë kryer një sërë punimesh infrastrukturore e deri tek ato kadrovike.  
 
“Kemi filluar me përgatitjet komplet të stafit kadrovik e gjithashtu edhe sa i përket objektit të shkollës, kemi bërë pastrimin dhe dezinfektimin e klasave, sallës së sportit gjithashtu, gëlqerosjen e pothuajse të gjithë objektit, nga korridoret, klasat, kabinetet, kemi pranuar një donacion nga një afarist me çka na u dhuruan 11 banka dhe 22 karrike. Vlen të theksohet se përmes një projekti kemi fituar edhe 2 smart tabela dhe 1 kompjuter.”, shtoi Ebibi.
 
Siç theksoi Ebibi, shpresojnë se gjatë ditëve në vijim, pritet që edhe klasa të tjera të pajisen me Smart Tabela, ai gjithashtu na njoftoi edhe me rrjedhën e procesit të të dyja afateve të regjistrimit të nxënësve në këtë shkollë, ku interesimi për tu regjistruar në klasë të parë varion sikurse vitin e kaluar pa u vërejtur ulje apo ngritje e numrit të nxënësve që regjistrohen për here të pare në shkollat fillore.
 
“Sa i përket procesit të regjistrimit kemi patur dy afate të rregullta, afati i pare ishte gjatë muajve Maj-Qershor dhe afati i dytë ka filluar nga muaji Gusht dhe ende vijon. Gjatë afatit të pare kemi regjistruar gjithsej 85 nxënës kurse gjatë afatit të dytë kemi edhe 7 nxënës, gjithsej 92, por që procesi i regjistrimit ende vijon, pra edhe gjatë tërë muajit Shtator.”, theksoi Ebibi.
 
Ndërkaq sa i përket furnizimit me tekste shkollore, Fatmir Ebibi për programin tonë thotë se, shumicën teksteve shkollore tashmë i kanë marrë.
 
“Me furnizimin e librave jemi bërë gjatë muajit Korrik, pra nga klasa e parë deri në të tretën janë furnizuar të gjithë, kurse në bazë të informimeve që i marrim presim edhe për klasat e tjera të furnizohemi së shpejti për ata që kemi mungesë.”, shtoi Ebibi.
 
Ndryshe, Shkolla fillore komunale, “Bajram Shabani” në Kumanovë, numëron mbi 1.000 nxënës të shpërndarë në 53 paralele, e që renditet në komunën e Kumanovës si një ndër shkollat më të mëdha.
 
FATLUM AQIFI