Maqedoni
Zjarr i madh në Trubarevë, QMK: Digjet fabrika për përpunimin e mbeturinave
13.09.2025 16:07
Një zjarr i madh ka shpërthyer në kompaninë për përpunimin e mbeturinave e quajtur “Nula Otpad” në Trubarevë të Shkupit...

Një zjarr i madh ka shpërthyer në kompaninë për përpunimin e mbeturinave e quajtur “Nula Otpad” në Trubarevë të Shkupit, dhe në shuarjen e tij janë angazhuar disa ekipe nga Brigada e Mbrojtjes kundër Zjarrit e qytetit të Shkupit. Drejtori i drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov thotë se ekipet në terren ndërmorën të gjitha masat nga toka dhe ajri me qëllim për ta lokalizuar zjarrin që të mos përhapet nëpër objekte të tjera. Ai zjarrin e quajti sulm hibrid ndaj shtetit.
“Ky është një sulm hibrid ndaj vendit sepse është e pamundur që kaq shumë zjarre të shpërthejnë në një kohë kaq të shkurtër në një shkallë të tillë sa të ndotin ajrin. Fola me pronarin e kompanisë “Zero Mbeturina”, ai thotë se mundësia e vetëndezjes apo të ndezjejes së lehtë nuk ekziston. Po digjen mbeturinat elektronike, shpërthimet që dëgjojmë vijnë nga disa televizorë dhe sipas tij nuk janë të rrezikshme. Në këtë moment, dy helikopterë janë ngritur dhe ne do t'i përdorim për të hedh ujë në zonën jashtë zjarrit për të parandaluar përhapjen e zjarrit.”, u shpreh drejtori i DDMSh-së Stojançe Angellov.
Qytetarët janë të shqetësuar për shëndetin e tyre pas ndotjes enorme të ajrit në Shkup, nga diegjen e mbeturinave.
“Nuk di, përnjëherë e pash një tym të zi që ngritje në qiell dhe nuk dija çka po ndodhte.”, u shpreh një qytetar.
“Pash tymin dhe thash prit të shoh çka po ndodh dhe kur pashë digjeshin plastika. Është shumë i dëmshme për shëndetin tymi i plastikave.”, tha një qytetar.
“Si do të marrim frymë vetëm Zoti e di. Ne jemi në hall të madh, nuk mund të marrim frymë. Çdo njeri këtu ka probleme shëndetësore, ka fëmijë, pleq që nuk mund të dalin jashtë sepse janë astmatikë dhe kush e paguan këtë dëm të madh.”, u shpreh një qytetar.
Ditëve të fundit flakët kanë përfshirë disa deponi në vend: Deponia Drislla - Komuna Studeniçan, Deponia e Dellçevës – Komuna Dellçevë, Deponia e qytetit – Komuna Krushevë, Deponia në Kuklis – Komuna Strumicë, Deponia në Vardarishtë – Komuna Gazi Babë dhe disa depone të tjera më të vogla dhe kjo ka shkaktuar revolt qytetare për shkak të ndotjes së madhe të ajrit.
FARIJE DAUTI BAKIU
