Maqedoni
Dezinformatat gjatë fushatës zgjedhore, rreziku më i madh nga mediat online
13.09.2025 16:53
“Dezinformim”: informacioni i gabuar dhe i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup, organizatë ose shtet....

“Dezinformim”: informacioni i gabuar dhe i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup, organizatë ose shtet. Fenomen ky që po rrezikon vendin në një periudhë parazgjedhore. Mediat online zakonisht janë rreziku duke pasur parasysh trendet e reja me zhvillimin e teknologjisë. Edhe përkundër ndryshimeve ligjore në fushën e medias, portalet mbetën jashtë observimit ligjor në periudhë fushate. Shkak është mos miratimi i kodit zgjedhor në kuvend. Kjo la një derë të hapur për keqpërdorim të lajmit. Shpërdorimi vjen edhe nga aktorët politik duke ndërvepruar me portale në dëm të votuesit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor.
“Kemi ombrellën në kuadër të Këshillit Etik për media, të mediave online, të cilat janë profesionale, ku numërojmë diku mbi 150 media online, që kanë një bekgraund, kanë pronësinë e paraqitur e të tjera, mirëpo çdo herë ekziston rreziku i atyre mediave të cilat paraqiten në hapësirën online dhe mbyllen pas një kohe dhe nuk mund të identifikohet burimi i këtyre informacioneve. Cili është trendi i cili paraqitet para zgjedhjeve në veçanti? Ndasia, polarizimi I mediave, të cilat më shumë ndonjëherë I shërbejnë partive politike se sa opinionit publik.”, u shpreh kryetareja e Këshillit të Etikës, Leunora Kaliqi.
Këshilli i Etikës në veprim përballë fenomenit
Këshilli i Etikës vendos në funksion mekanizmin për ankesa lidhur me aktivitetet zgjedhore në hapësirën online. Individë, institucione, organizata joqeveritare, partitë politike ose kandidatë të pavarur mund të paraqesin ankesë pranë Trupit Kordinues, nëse vlerësojnë se po përhapen dezinformata lidhur me procesin zgjedhor.
“Qytetarët do të kenë mundësi që deri tek trupi koordinues në kuadër të Agjencisë për shërbime mediatike, të dërgojnë ankesat e tyre në rast eventual të identifikimit të shkeljeve mediatike në sferën online. Këtu përfshihen edhe profilet e politikanëve në rrjetet sociale, përfshihen edhe profilet e partive politike të cilat plasojnë informacione të ndryshme, krijuesit e opinionit public apo influencerët, të cilët i quajmë ne, pasiqë kanë shumë ndjekës dhe mund të krijojnë opinion public sikur edhe një medium. Trupi kordinues është formuar me të vetmin qëllim që ti adaptohemi trendeve të reja duke marrë parasysh inteligjencën artificiale, mënyrën se si krijohen informacionet në kohën modern.”, tha Kaliqi.
Këshilli i Etikës me indikacionet e mjaftueshme që do të grumbulloj, fiton të drejtën që rastet e caktuara dezinformative ti procesuojë në gjyq. Prej viti të ardhshëm edhe influencerët me mbi 30 mijë ndjekës do të vihen nën llupën e ligjit.
MERALE ISMAILI
