Maqedoni
Deponia Drislla, vazhdojnë punimet për shuarjen e plotë të zjarrit
13.09.2025 17:27
Vazhdojnë intensivisht punimet për shuarjen e plotë të zjarrit në deponinë më të madhe të mbeturinave në vend “Drislla”...

Vazhdojnë intensivisht punimet për shuarjen e plotë të zjarrit në deponinë më të madhe të mbeturinave në vend “Drislla”. Pas disa ditësh përpjekje për mbulimin me dhe të zonave që ende digjen, ekipet e emergjencës, të përforcuara me mjete të rënda si ekskavatorë, kamionë dhe buldozerë, gjatë ditës vazhdojnë ta mbulojnë plotësisht vendin ku del tymi, njoftoi Drejtori i DMSH, Stojçe Angelove. Sipas tij rruga drejt deponisë është bërë më e qasshme, gjë që ka lehtësuar qarkullimin e makinerive të rënda dhe ka përshpejtuar punën në terren. E njëjta përpjekje vazhdon edhe në deponinë Vardarishtë. Situata atje është në monitorim të plotë.
“Sot me një numër të madh mekanizmash, me numër maksimal ekskavatorësh, kamionë për bartjen e dheut, si dhe buldozerë të cilat pastrojnë dhe gërmojnë vendi ku del tymi, pastaj punojnë për ta mbuluar zonën ku ekziston rreziku për rindezje të zjarrit. Në këtë moment jemi duke përparuar shumë mirë. Kërkova mekanizma shtesë, pasi siç kemi përparuar me hapjen e rrugëve, kjo zgjeron hapësirë për të punuar më lehtë me më tepër makineri. Nga ana tjetër kemi angazhuar më tepër patrulla policore, të cilët patrullojnë rreth deponisë dhe brenda saj, por edhe në deponinë Vardarishte, ku vazhdojmë të mbulojmë vendin me dhe, që mos të ndizet zjarret.”, u shpreh drejtori i DDMSh-së Stojançe Angellov.
Pas zjarreve të njëpasnjëshme që kanë përfshirë deponitë në disa pjesë të vendit, autoritetet qeveritare kanë hedhur akuza ndaj opozitës, duke e konsideruar atë përgjegjëse për situatën.
“Nga papërgjegjësia me të cilën udhëheqin ndërmarrjen publike Drislla, BDI, Levica dhe Danella ndodh kjo. Qendra për menaxhim me kriza dhe e gjithë qeveria është në funksion për shuarjen e zjarrit dhe marrjen e masave që sa më shpejt të evitohet kjo katastrofë. Inspektorati po bën inspektimin dhe do të sjell vendimin e duhur. Për ta evituar problemin por nëse e shohim se nuk kanë kompetenca dhe nuk kanë dëshirë për ta zgjedhur atëherë mund të merret në kompetenca të ministrisë, dhe përgjegjësia është e BDI-së, kryetares Arsovska dhe Levicës.”, u shpreh kryetari i LD-së Izet Mexhiti.
Ndërkohë nga BDI, i hedhin poshtë këto akuza, duke i quajtur shpifje dhe të pabaza.
“BDI i hedh poshtë me indinjatë shpifjet dhe akuzat e pavërteta të ministrit të Mickoskit, z. Izet Mexhiti lidhur me zjarrvënien e qëllimshme në Shkup. Mexhiti, sa herë që përballet me paaftësinë dhe dështimet e tij, mundohet t’i gjejë fajtorët kujdestarë në BDI. Si për kaosin që e shkaktoi në Çair për më tepër se 20 vite, ashtu edhe për bombën ekologjike në Shkup e më gjerë. E pyesim publikisht z. Mexhiti: kush i ka vendosur zjarret në Manastir, Kavadarci, në Shtip dhe vende tjera në Maqedoninë Lindore e Jugore? A vallë edhe aty fajin e ka BDI-ja?”, - thuhet në përgjigjen e lëshuar nga BDI.
FARIJE DAUTI BAKIU
