Maqedoni
Virusi gastrointestinal, rehidratimi, kyç për virusin e barkut
13.09.2025 17:47
Virusi gastrointestinal, i njohur si "virusi i barkut", është një nga infeksionet që shpesh përhapet gjatë ndryshimeve të papritura të motit...

Virusi gastrointestinal, i njohur si "virusi i barkut", është një nga infeksionet që shpesh përhapet gjatë ndryshimeve të papritura të motit dhe që prek shumë individë, sidomos fëmijët dhe të moshuarit. Kjo sëmundje shkakton simptoma të tilla si diarre, të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë. Sipas mjekëve, tre elementë janë të domosdoshëm për trajtimin dhe përballimin e infeksionit nga virusi gastrointestinal. Rehidratimin e duhur, konsumimin e probiotikëve për të rikthyer ekuilibrin e florës bakteriale të stomakut, dhe një ushqim të thjeshtë dhe dietik, kryesisht bimor.
“Simptomat të cilat i japin i ndajmë ne dy kategori, simptoma të cilat shkaktohen nga sistemit digjestiv ose sistemit të tretjes së sipërm, e ato janë vjellja, dhimbja e lukthit; si dhe ato të sistemit digjestiv të poshtëm, barkqitja, dhimbje e shtrëngesa në bark kryesisht të shkaktuara nga ngërçet e zorrëve. Grupmosha më e rrezikuar janë padyshim ata të cilët janë më të vegjël, domethënë fëmijët prej moshës 0 deri në moshën 6 vjeçare. Gjithashtu janë edhe grupi i të moshuarve prej moshës 65 vjeçare e tutje. E para në nivel të rëndësisë është rehidratacioni, domethënë uji së bashku me elektrolitet, e dyta është konsumimi i probiotikëve si dhe masat higjieno-dietetike.”, u shpreh për TVM2 mjeku Guxim Braimi.
Megjithëse virusi gastrointestinal është një infeksion i zakonshëm, është shumë e rëndësishme të kemi kujdes të shtuar për të parandaluar shpërthimet masive dhe komplikimet që mund të ndodhin, vecanërish tek ata që janë më të rrezikuar.
“Rekomandimet tona janë se, simptomatologji e cila zgjat më shumë se 48 orë veçmë është serioze dhe kërkon konsultim dhe kontroll edhe nga ana e mjekut, fillimisht nga ana e mjekut familjar dhe nëse mandej ai e sheh që ka indikacion të marr mendim edhe nga specialisti nëse vendos eventualisht për trajtim spitalor. Mirëpo në të shumtën e rasteve këtë sëmundje e qujme ne të vetë-limituar ose e vetë-kufizuar, e që nenkuptohet se simptomat nuk i zgjasin më shumë se dy ditë.”, u shpreh Braimi.
Mjekët këshillojnë qytetarët për masa të veçanta parandaluese dhe trajtimi të cilat mund të lehtësojnë pasojat e këtij virusi, të respektohen rregullat e higjienës personale, si larja e duarve pas përdorimit të tualetit dhe para ngrënies, të shmangen kontaktet me individë të tjerë në rast simptomash, të përdoren maska...gjëra këto të cilat reduktojnë mundësinë e përhapjes së virusit, sepse gjithmonë parandalimi është çelësi i mbrojtjes nga viruset.
BELINDA KOKA ADEMI
