Maqedoni
Zjarri në Trubarevë është shuar, mbetet tym i dendur
14.09.2025 11:11
Zjarri që dje përfshiu fabrikën për përpunimin e mbeturinave në Trubarevë është shuar...

Zjarri që dje përfshiu fabrikën për përpunimin e mbeturinave në Trubarevë është shuar, por në terren ende ka tym të dendur që del përmes tokës dhe rërës me të cilën janë mbuluar pjesë të materialeve, njoftoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov.
Ai theksoi se falë intervenimit të shpejtë dhe të organizuar të zjarrfikësve të Shkupit, janë shpëtuar katër objekte në afërsi të hangarëve të djegur të “Grupacion-F”.
“Bëhet fjalë për balota me mbetje plastike, shishe dhe materiale të tjera elektronike. Edhe pse zjarri është shuar, tymi mbetet i dendur, pasi ky lloj mbeturinash është jashtëzakonisht i vështirë për t’u shuar. Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë me lagien e rërës dhe tokës”, deklaroi Angellov.
Ai shtoi se rreth orës 2:30 të mëngjesit sot është raportuar shfaqje e re e flakëve në deponinë “Drisla”. Pas intervenimit të brigadës së Shkupit, zjarri është lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e tij.
“Situata në Drisla tani është stabile, ndërsa mbulimi i vatrave vazhdon. Pjesë e mekanizimit u drejtua drejt Trubarevës për t’u përballur me zjarrin e madh”, tha drejtori i DMSH-së.
