Maqedoni
Aliu: 4 të lënduar nga zjarri në Trubarevë
14.09.2025 14:35
Gjatë përpjekjeve për të lokalizuar zjarrin në fabrikën e mbeturinave elektronike në Trubarevë janë lënduar katër persona...

Gjatë përpjekjeve për të lokalizuar zjarrin në fabrikën e mbeturinave elektronike në Trubarevë janë lënduar katër persona. Nga ministria e shëndetësisë njoftojnë se ata janë në gjendje stabile dhe tre prej tyre janë lëshuar në shtëpi ndërsa për kurim të mëtejshëm në Klinikën për Toksikologji është hospitalizuar një person por pa komplikime serioze.
“Nga katër personat, njëri është banor që jeton shumë afër vendit të zjarrit, një është pjesëtar i ARM-së, një është drejtori i QMK-së dhe një është polic. Banorja që jeton atje është e hospitalizuar në Klinikën për Toksikologji. Nuk ka komplikime, por stafi mjekësor ka vendosur që të vazhdojë trajtimin në spital. Ka pasur simptoma si marramendje dhe kollë, dhe unë apeloj që çdo kush që ka simptoma të tilla, të paraqitet te mjeku.”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Prokuroria Themelore e Shkupit po ndërmerren veprime lidhur me zjarrin
Prokuroria Themelore e Shkupit ka njoftuar se po ndërmerr veprime për të zbuluar faktet dhe për të mbledhur prova në lidhje me zjarrin e madh që shpërtheu në depot e kompanisë në Trubarevë. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për të siguruar të gjithë dokumentacionin mbi punën e kompanisë në depot e së cilës ndodhi zjarri.
“Prokurori ka dërguar kërkesë për mbështetje nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për përfshirjen e Njësisë për Mbrojtje Atomike, Biologjike dhe Kimike, e cila me instrumente të posaçme bëri matjen dhe detektimin e helmimit kimik në ajër nga gazrat dhe grimcat, që lirohen nga zjarri. Prokuroria Publike ka dhënë urdhër për sigurimin e dokumentacionit të plotë për punën e kompanisë në Trubarevë.”, thuhet në njoftimin e Prokuroria Themelore të Shkupit.
Mexhiti: Objekti kishte leje nga viti 2021
Ndërkohë Ministri i Ekologjisë njoftoi se objekti posedon leje.
“Objekti në Trubarev posedon leje valide për menaxhimin e mbeturinave, e lëshuar nga Ministria në vitin 2021 me vlefshmëri deri në vitin 2031. Për transparencë të plotë menjëherë u angazhuan laboratorë të akredituar për matjen e cilësisë së ajrit si nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis, ashtu edhe nga trupat e jashtme të specializuara. Është filluar edhe kontrolli administrativ inspektues ndaj subjektit juridik, nga i cili do të merren të gjitha dokumentet e nevojshme.”, u shpreh Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti
Pas krijimit të kushteve dhe sigurimit të të dhënave mbi llojin e objekteve të depozituara, do të urdhërohet një ekspertizë për të përcaktuar llojin e ndotjes dhe pasojat e ndotjes thonë nga Prokuroria Themelore e Shkupit.
FITIM KRYEZIU
