Maqedoni

Zjarri në Trubarevë, partitë me qëndrime të ndara

14.09.2025 15:03

Zjarri i cili shpërtheu në fshatin Trubarev, ka ngritur në këmbë të gjitha institucionet relevante të vendit....

Zjarri i cili shpërtheu në fshatin Trubarev, ka ngritur në këmbë të gjitha institucionet relevante të vendit. Edhe partitë politike e kanë shfrytëzuar këtë zjarr për akuza dhe kundërakuzuar midis tyre. LSDM kërkon përgjegjësi politike dhe penale për katastrofën ekologjike që sipas tyre është shkaktuar nga kuadrot e paafta të pushtetit.
 
“Ajo që po ndodh është një turp për një vend dhe një qeveri që po zhytet në kaos për shkak të paaftësisë dhe indiferencës. Mbi 500 mijë banorë të Shkupit dhe zonës përreth janë në rrezik shëndetësor për shkak të tymit toksik. Një katastrofë ekologjike po i ndodh Shkupit, dhe qeveria e paaftë nuk ka as kapacitetin dhe as njohuritë për t'u përballur me situatën.”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
 
Por kryeministri Hristijan Mickovski thotë se posedon informacione se qendra të caktuara po përpiqen të pengojnë punën e qeverisë dhe të mos ketë sukses. 
 
“Zjarrvënie të tilla do të ketë, edhe në periudhën që na vjen, sepse kemi qendra të fuqive të ndryshme brenda vendit, e të cilat nuk dua që kjo Qeveria të ja dalë mbanë. Por ne do të luftojmë, ato do të vazhdojnë të ndezin zjarre, dhe të krijojnë skenare të tilla, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë, dhe në fund do të fitojmë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.
 
Nga ana tjetër BDI kritikoi Ministrin e Mjedisit, Izet Mexhiti, për papërgjegjësi për qytetarët e Shkupit në momentet më kritike.
 
“Ndërsa ajri në Shkup mbante erë helmi, Izet Mexhiti, i cili me sa duket harroi se ishte Ministër i Mjedisit, nuk tha asnjë fjalë. Ai nuk doli publikisht, nuk dha rekomandime, nuk ofroi informacione, nuk bëri asnjë apel. Kur qytetarët kishin frikë për shëndetin e tyre, gjëja më e rëndësishme për të ishte të transmetonte drejtpërdrejt një ngjarje partiake në Çair, sikur të mos ndodhte asgjë.”, thuhet ne komunikatën e BDI-së.
 
Nga koalicioni VLEN e akuzojnë BDI-në për hipokrizi. Sipas tyre deponitë më të mëdha janë krijuar në kohën e BDI-së.
 
“Deponitë rreth Shkupit, në Tetovë, në Kërçovë e në Strugë janë trashëgimi nga koha e BDI-së. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, reagoi menjëherë, të koordinuar dhe së bashku me të gjitha organet dhe institucionet kompetente, përfshirë edhe shërbimet e zjarrfikësve. Situata tashmë është nën kontroll dhe qytetarët informohen me kohë.”, thuhet ne komunikatën e VLEN-it.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM dhe BDI janë frymëzuesit dhe nxitësit e vërtetë të zjarreve në vend.
 
“Ata janë frymëzuesit dhe nxitësit e vërtetë të zjarreve në Maqedoni. Përgjegjësia për të gjitha fatkeqësitë në vend është e tyre”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
FITIM KRYEZIU