Maqedoni

Zjarri në Trubarevë nën kontroll por ka akoma tym aktiv

14.09.2025 15:51

Më shumë se 15 orë ekipet e zjarrfikësve kanë luftuar me zjarrin që në fabrikën e riciklimit të mbeturinave në Trubarevë....

Më shumë se 15 orë ekipet e zjarrfikësve kanë luftuar me zjarrin që në fabrikën e riciklimit të mbeturinave në Trubarevë. Sipas kompetentëve zjarri është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar, duke eliminuar djegiet aktive, megjithatë, ende vazhdon të ketë tym të dendur që del nga toka dhe rëra e shtruar mbi zonat e prekura nga zjarri. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, njoftoi se ky rezultat është arritur falë veprimit të shpejtë dhe të koordinuar të shërbimeve të zjarrfikësve të Shkupit. Ai gjithashtu theksoi se, përmes një operacioni të mirë organizuar, janë shpëtuar katër objekte të cilat ndodheshin afër zonës së djegur, pranë kompanisë “Grupacija-F”.
 
“Zjarri është shuar, por për fat të keq ka ende tym aktiv. Zona ku ndodheshin bateritë me litium është mbuluar me rërë, ndërsa në disa vende është përdorur edhe dhe, aty ku nuk kishte bateri litiumi apo mbeturina elektronike. Megjithatë, tymi po del përmes rërës dhe dheut të hedhur. Për fat të keq, tymi vazhdon të jetë i fortë dhe zjarrfikësit po punojnë për të lagur rërën dhe për ta fikur plotësisht zjarrin, pasi një mbeturinë e tillë elektronike është shumë e vështirë për t’u shuar. Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës.”, u shpreh drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov.
 
Për shkak të natyrës së materialeve të djegura, autoritetet e mjedisit kanë ndërmarrë matje për të vlerësuar nivelin e ndotjes në zonë. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, analizat për gazrat toksikë, grimcat e imëta dhe metalet e rënda janë në proces dhe rezultatet pritet të dalin herët në mëngjes.
 
"Po analizohen gazrat CO -(CEO-monoksidi i karbonit), SO₂ -(ESO2- Dioksid squfuri), NO₂ (ENO2-Dioksid azoti). Grimcat PM10, dhe metalet e rënda: plumbi, arseni, kadiumi dhe nikeli. Këto janë mostrat që janë marrë. Gjithashtu mostra janë marrë edhe nga Laboratori i Mjedisit , në kuadër të Ministrisë së Ekologjisë. Në komunikim me laboratorin, rezultatet do ti marrim herët në mëngjes, ky është afati më i shpejt sepse këto nuk janë rezultate që mund të merren menjëherë pasi janë vetëm matje indikative. Pra merren në filtra të veçantë, pastaj filtrat dërgohen për analizë dhe kjo kërkon kohë që të vinë rezultatet.”, u hspreh drejtuesja e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ivana Ginovska.
 
Ndërkohë që zjarri në objektin për riciklim në Trubarevë është vënë nën kontroll dhe flakët janë shuar, autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të tymit të dendur që vazhdon të dalë nga mbetjet e djegura. Monitorimi i ndotjes së ajrit dhe mjedisit është në vazhdim, ndërsa rezultatet e analizave pritet të hedhin dritë mbi shkallën e rrezikut dhe pasojat mjedisore të incidentit. Në varësi të gjetjeve, institucionet përkatëse do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të vlerësuar përgjegjësinë ligjore dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mjedisit përreth.
 
FARIJE DAUTI BAKIU